Vendosni fjalën kyçe....

Mbrojtja e të dhënave, ushtria e Zvicrës ndalon përdorimin e WhatsApp, Signal e Telegram


Ushtarët zviceranë duhet të ndalojnë përdorimin e WhatsApp, Signal dhe Telegram dhe në vend të tyre të përdorin një aplikacion vendas, raportuan mediat zvicerane këtë javë. Si arsye u përmend mbrojtja e të dhënave.

Komandantët dhe shefat e shtabit morën një udhëzim në fund të dhjetorit duke i informuar ata për rregullat e reja, sipas mediave zvicerane.

Personeli i ushtrisë duhet të përdorë tani aplikacionin Threema të zhvilluar në vend, si në komunikimin zyrtar ashtu edhe në atë privat, duke përfshirë bisedat midis ushtarëve dhe të afërmve të tyre, thuhet në udhëzim.

Udhëzimi përmban një ndalim të qartë për aplikacionet e tjera: “Të gjitha shërbimet e tjera nuk lejohen më”, raportoi media që kishte parë përmbajtjen e emailit. Megjithatë, është e paqartë nëse do të ketë ndonjë sanksion për ata që nuk ndalojnë së përdoruri WhatsApp ose aplikacione të tjera të huaja.

Ushtria gjithashtu thuhet se do të mbulojë koston e shkarkimit të aplikacionit vendas, 4 franga zvicerane (4,35 dollarë). Tarifat vjetore të mbledhura nga kompania thuhet se do të paguhen edhe nga ushtria.

Rekomandimet vlejnë për të gjithë në ushtri, duke përfshirë rekrutët e rinj dhe ata që kthehen për stërvitje të reja, tha për AFP, zëdhënësi ushtarak Daniel Reist. Zvicra ka shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë shtetasit meshkuj të moshës 19 vjeç dhe që konsiderohen të përshtatshëm për shërbim.

Masa u nxit nga shqetësimet mbi sigurinë e të dhënave, tha zëdhënësi i ushtrisë për mediat lokale. Threema i nënshtrohet ligjit zviceran dhe është në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së, ndryshe nga aplikacionet e huaja.