Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA beson se Putin dëshiron të rikthejë Bashkimin Sovjetik” – Blinken


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia dëshiron rikthimin e Bashkimit Sovjetik, gjë që sipas tij është e ‘e papranueshme’ dhe duhet trajtuar.

Në një intervistë me CNN të dielën, Blinken u pyet nëse ishte dakord me ish-Sekretarin e Mbrojtjes Leon Panetta, i cili dikur tha se presidenti rus Vladimir Putin ishte i shtyrë nga dëshira për të rivendosur Bashkimin Sovjetik.

“Unë mendoj se është e drejtë, mendoj se ky është një nga objektivat e Presidentit Putin. Ai kërkon të ushtrojë një sferë ndikimi mbi vendet që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.” – u përgjigj Blinken.

Ai vazhdoi duke thënë se SHBA e konsideronte një dëshirë të tillë ‘të papranueshme’ pasi një botë e sferave të ndikimit ishte një ‘recetë për paqëndrueshmëri, një recetë për konflikt, një recetë që çoi në luftëra botërore’.

Përpara takimeve të kësaj jave SHBA-Rusi në Gjenevë, Blinken pohoi se pala amerikane ishte e përkushtuar të bënte gjithçka për të zgjidhur tensionet mbi Ukrainën në mënyrë paqësore, por se çdo përparim do të ishte i mundur vetëm ‘në bazë reciproke’.

Megjithatë, ai nënvizoi se ‘është e vështirë të arrihet përparim i vërtetë, në një atmosferë përshkallëzimi, me armën në kokën e Ukrainës.” – dhe për këtë arsye Rusia duhet të ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe diplomacisë për të parë nëse mund t’i zgjidhim këto sfida në mënyrë paqësore. Ky është kursi më i preferuar, është kursi më i përgjegjshëm. Por po ashtu ne jemi të përgatitur t’i përgjigjemi Rusisë me shumë vendosmëri nëse zgjedh konfrontimin, nëse zgjedh agresionin.” – tha ai, duke këmbëngulur se topi tani është në fushën e Moskës.

Takimi i ardhshëm vjen mes tensioneve në rritje midis Moskës dhe vendeve perëndimore që kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për planet e supozuara të Rusisë për të pushtuar Ukrainën, diçka që Rusia e mohon me forcë dhe e konsideron si një shembull ‘histerie’.

Në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për shqetësimet e saj të sigurisë, Moska ka paraqitur një sërë propozimesh, disa prej të cilave tashmë janë refuzuar nga SHBA dhe NATO, dhe Uashingtoni duke thënë se blloku nuk do të pranonte kurrë të kufizonte potencialin e tij për zgjerim në lindje të Europës.