Kryeministri Edi Rama jep lajmin për hapjen e kishave dhe xhamive, duke nisur nga dita e hënë për festën e Fitër Bajramit.
Por këtë e ka bërë duke sulmuar dhe ironizuar opozitën, për të cilën thotë se janë ngritur si ndjekës të flaktë të profetit Muhamed, për të nxitur komunitetin mysliman tu bashkohet në një revolucion imagjinar.
Rama thotë se së bashku me komunitetet fetare, ka përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, kështu që kthimi në kisha e xhamia do bëhet duke zbatuar disa rregulla.
NJOFTIMI I RAMËS
Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram.
Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre.
PASI KEMI BASHKËPUNUAR KËTO JAVË ME KOMUNITETET FETARE DHE KEMI PËRGATITUR PROTOKOLLET E SIGURISË SHËNDETËSORE, DUKE MARRË, VLERËSUAR E MIRATUAR PROPOZIMET E TYRE, JEMI GATI TË VENDOSIM ÇELJEN E AKTIVITETIT TË TEMPUJVE NGA JAVA E ARDHSHME, ME TË GJITHA KUFIZIMET PËRKATËSE, DUKE E NISUR NESËR ME KËMBË TË MBARË E ME BEKIMIN E DRITËS SË DITËS SË BUKUR TË KALENDARIT TË BESIMIT.
DUKE JU URUAR MEGJITHË ZEMËR BAJRAMIN BESIMTARËVE MUSLIMANË, UROJ EDHE QË HAPJA E XHAMIVE (NËN KUJDESIN E MADH TË DREJTUESVE SHPIRTËRORË TË KOMUNITETIT PËR RESPEKTIMIN E PROTOKOLLIT TË PROPOZUAR PREJ VETË ATYRE) TË JETË NJË OGUR I MIRË PAQEJE E MIRËSISH, PËR TË GJITHA KOMUNITETET DHE VETË SHQIPËRINË E SHQIPTARËT NË KËTË KOHË JO TË LEHTË.