Vendosni fjalën kyçe....

Hapet pediatria e re/ Rama: QSUT brenda mandatit do kthehet në kompleksin me modern në rajon


Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e pediatrisë së re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e cila ka hapur sot.

E pranishme ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e konsideroi këtë investim si një kapitull të ri për shërbimin shëndetësor për fëmijët.

“Hapim një kapitull të ri për shërbimin shëndetësor për fëmijët. Ky spital kishte pak kohë që kishte filluar të hidhte themelet ndërkohë që Shqipëria u përball me tërmetin e më pas me pandeminë. Vëmendja jonë u drejtua nga përballja me pandeminë dhe sistemi shëndetësor u vu në një sprovë të madhe, por ja dolëm ta përballonim. Investimet në shëndetësi nuk u ndalën. Ky investim i ri është një projekt modernizimi, shërbimi cilësor për përkujdesjen ndaj shëndetit të fëmijëve. Ky spital mbart tre shërbime esenciale, kemi urgjencën pediatrike me kapacitete të dyfishuara. Shërbimi i reanimacionit do të ketë kapacitet të dyfishuara. Shërbimi i kirurgjisë infantile do të jetë e dedikuar një sallë edhe për ndërhyrje invazive.”- tha Mininistrja.

Ndërsa Rama gjatë fjalës së tij u ndal në pagat për mjekët, duke thënë se ata do të vlerësohen sipas performancës së tyre. Sipas Ramës rroga bazë nuk preket por ajo do shtohet në bazë të performancës.

Po ashtu ai u shpreh se QSUT, brenda këtij mandati qeverisës do kthehet në kompleksin me modern në rajon.

“Plotësimi i kushteve për t’u dhënë mjekëve hapësirë optimale për të ushtruar profesionin është motiv i fortë për të shërbyer me përkushtim.

Sigurisht njerëzit janë kyçe për të bërë ndryshimin, por është e pamundur të imagjinosh se ato do të japin më të mirën e tyre kur kushtet janë të pafavorshme. Sot jemi në një fazë tjetër, por duhet të shkojmë përtej godinave dhe kushteve fizike, jo vetëm me fuqizimin e mbështetjes për personelin, por dhe me krijimin e një hapësire të re ndërveprimi mes personelit të spitaleve dhe vetë shtetit.

Po hyjnë në fazën e zbatimit për autonominë spitalore, për t’i dhënë mundësi mjekëve që të vlerësohen sipas meritës dhe meritën ta vënë në pah. Kush punon më shumë do paguhet më shumë dhe procesi i administrimit të të ardhurave në dispozicion të spitaleve të kalojë përmes kësaj strukture të re funksioni dhe u jep mjekëve pushtet vendimmarrës për shumëçka, përtej pagës së tyre për furnizimet, për mënyrën se si organizohen brenda të gjitha ndërveprimet dhe për investimet.

Paga bazë nuk bie më poshtë, ndërsa më lartë për ata që i japin më shumë sistemit për shkak të aftësisë së tyre. Do jetë një sistem i tërë pikëzimi që do të tregojë aftësistë e të gjithë personelit mjekësor.

Brenda këtij mandati përmbyllim çdo pjesë të QSUT që ka nevojë të hyjë në këtë standard. QSUT do të kthehet në kompleksin me modern të rajonit.”- tha Rama.