Vendosni fjalën kyçe....

Vitali Klitschko: Rusët po vdesin për ambiciet e Putinit


Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i tha BBC-së se publiku rus në fund do të kuptojë se ushtarët e tyre të rinj po vdesin për asgjë më shumë se sa thjesht ambiciet e presidentit të tyre Vladimir Putin.

Ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda e bëri këtë deklaratë kur po merrte pjesë në funeralin e një aktivisti të njohur 24-vjeçar.

Ushtari vullnetar Roman Ratushny u vra më 9 qershor në Izyum, në rajonin e Kharkivit.

Kryebashkiaku Klitschko tha se lideri rus po shkatërronte miliona jetë si në Ukrainë ashtu edhe në vendin e tij.

“Kjo është gjithashtu një tragjedi për rusët dhe për Federatën Ruse. Njerëzit nuk e kuptojnë këtë tani, por jam i sigurt se do ta kuptojnë shumë shpejt realitetin. Rusët po vdesin – për çfarë? Ambicien e Putinit?”– tha ai sipas BBC-së.

Kryebashkiaku ishte në mesin e qindra të pranishmëve që dolën për të nderuar aktivistin Roman Ratushny – i cili u bë i njohur gjatë protestave pro-demokracisë të vitit 2013 kundër ish-qeverisë ukrainase pro-Moskës.

 

Vitali Klitschko tha se aleatët perëndimorë që tregojnë solidaritet me Ukrainën janë “çelësi për paqen dhe lirinë në Evropë”.

Kryeministri britanik Boris Johnson, i cili u kthye nga një udhëtim i paparalajmëruar në Kiev për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të premten, ka paralajmëruar se “lodhja e Ukrainës” kishte filluar të përhapej në mbarë botën.

Johnson tha se aleatët duhet të demonstrojnë se po i japin Ukrainës “rezistencë strategjike“.