Vendosni fjalën kyçe....

Rusia zbret sërish në Afganistan, po shikon për investime në naftë dhe gaz


Rusia është duke shqyrtuar investimet në sferën e naftës dhe gazit në Afganistan, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë së përkohshme talebane pas një takimi me investitorët rusë në kryeqytetin Kabul.

“Mawlawi Sahib Abdul Salam Hanafi, zëvendëskryeministri (i qeverisë talebane), u takua me një delegacion të përbashkët investitorësh afganë dhe rusë në zyrën e tij. Në këtë takim u diskutua në detaje për përpjekjet, nxjerrjen dhe ngritjen e rafinerive të naftës dhe gazit, fabrikave të çimentos dhe aliazheve dhe themelimin e një kompanie për prodhimin e çimentos”, ka shkruar Zabiullah Mujahid në një postim në Twitter.

Mujahid tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të mbështetur investimet ruse duke futur ligje miqësore për investitorët.

Pasi talebanët morën kontrollin mbi vendin më 15 gusht të vitit 2021, disa vende njoftuan plane investimi për Afganistanin.

Duke vuajtur nga mungesa e ndihmës së huaj, administrata talebane ka kërkuar investime në sektorin e minierave.

Në tetor 2021, Mujahid tha se Kina dëshironte të investonte miliarda dollarë në Afganistan nëse talebanët do të garantonin sigurinë për punëtorët dhe asetet e tyre.