Vendosni fjalën kyçe....

Kallëzohen në SPAK ish-ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi e dy zyrtarë të lartë


Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit ka kallëzuar në SPAK ish-ministren e Bujqëisë Milva Ekonomi si dhe dy zyrtarë të lartë të kësaj ministrie.

Sipas kreut të shoqatës, Ervin Resuli, kallëzimi ka të bëjë me faktet e zbuluara mbi qarkullimin e medikamenteve bujqësore e veterinare kancerogjene.

“Sapo depozitova në SPAK një kallëzim si kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe jo vetëm, por edhe si prind i cili ka vendosur të rrisë fëmijët në këtë vend ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë. Nisur nga emisioni investigativ ‘Top Story’ lidhur me aferën e medikamenteve veterinare, madje atyre medikamenteve të cilat prej 25 vitesh nuk duhet të qarkullonin në Shqipëri me veti të larta kancerogjene, u gjetën në treg dhe në një formë apo një tjetër kanë mbërritur tek konsumatori shqiptar. Personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë mund të kemi të bëjmë me mosushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori.” – tha Resuli.

Ai theksoi se ish-ministrja e Bujqësisë Ekonomi si dhe zy zyrtarë të këtij institucioni të cilët sipas tij me veprimet e mosvperimet e tyre kanë lejuar që kjo gjë të ndodhë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

“Zonja Ekonomi, si ish-ministre e Bujqësisë për veprimet e saj e cila ka lejuar që analizat nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë të publikohen dhe 6 muaj nga momenti i mbërritjes, ka bërë që një pjesë e produkteve me origjinë shtazore apo dhe perime të ndryshme të përfundojnë në tavolinat e konsumatorit duke mos i mundësuar garancinë dhe sigurinë. Z. Raveli si drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili gati në 50% të listës së miratuar nga Ministria e Bujqësisë janë barna të cilat nuk janë regjistruar në EMA dhe ka hedhur në qarkullim një sërë medikamentesh me pasoja të rënda tek konsumatori. Jo vetëm kaq, përveçse kemi medikamente të paregjistruara, kemi dhe medikamente që nuk përputhet etiketa me barin dhe mënyra e përdorimit ka sjellë pasoja tek konsumatori. Personi tjetër është drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së bimëve, znj. Pana Shtylla Kika, e cila përpos përgjegjësi kryesor për inspektimin e farmacive dhe depove veterinare nuk ka vepruar duke konstatuar problematika që janë konstatuar në këtë emision, i cili nxori qartas fiktivitetin e institucioneve shtetërore, të cilat nuk kryejnë siç duhet veprimtarinë e tyre që i ngarkon ligji..” – theksoi Resuli.