Vendosni fjalën kyçe....

Vidhnin banesat dhe bizneset në Tiranë, policia arreston 4 persona, një tjetër në kërkim


Policia e Tiranës ka njoftuar se ka zbardhur dhe dokumentuar 12 raste të vjedhjeve në banesa dhe biznese në kryeqytet.

Gjatë operacionit të koduar “Shtegtarët”, mësohet se janë vënë në pranga katër persona dhe është shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtor i tyre. Personat e arrestuar janë: Behar Allmuça, Klajdi Lila, Leonard Hoxha dhe Anderson Fidani.

Në banesën e Lilës mësohet se uniformat blu kanë gjetur një granatë, ndërkohë që janë sekuestruar edhe një automjet, piktura me vlerë, një mjet prerës për lëndë drusore, një biçikletë, një sasi parash dhe mjete që autorët i përdornin për kryerjen e vjedhjeve.

DETAJET E POLICISË

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Shtegtarët”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

– B. A., 27 vjeç; L. H., 24 vjeç dhe A. F., 31 vjeç, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim (të tre të dënuar më parë për vjedhje);

– K. L., 17 vjeç, banues në Kombinat, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Këta 4 shtetas janë arrestuar në kushtet e flagrancës, gjatë kohës që ishin duke vjedhur në një farmaci në rrugën “Petraq Leka”, në Kombinat.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre, shtetasi F. L., 29 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 11 rasteve të vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjeve të banesave dhe bizneseve të ndryshme, konkretisht:

* Më datë 16.12.2021, në Durrës, në dyqanin në pronësi të shtetasit E. Sh., dyshohet se kanë vjedhur një shumë të papërcaktuar parash;

*Më datë 16.12.2021, në Durrës, në dyqanin në pronësi të shtetasit B. Sh., dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash;

* Më datë 18.11.2021, në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një sasi të papërcaktuar parash dhe paketa cigaresh në marketin në pronësi të shtetasit V. U.;

*Më datë 21.12.2021, në rrugën “Tefta Tashko” dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në farmacinë në pronësi të shtetases V. P.;

*Më datë 21.12.2021, në Qytetin e Nxënësve në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në një dyqan;

*Më datë 25.12.2021, në rrugën “Budi”, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash dhe disa paketa cigaresh në marketin me menaxhere shtetasen A. Sh.;

*Më datë 25.12.2021, në qytetin e Belshit, gjatë natës dyshohet se kanë vjedhur një pajisje prerëse për materiale drusore në një banesë;

*Më datë 26.12.2021, në qytetin e Belshit, kanë tentuar të vjedhin një farmaci;

*Më datë 26.12.2021, po në qytetin e Belshit kanë tentuar të vjedhin një kancelari;

*Më datë 26.12.2021, në fshatin Pezë, në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur disa vegla pune në banesën e shtetasit G. R.;

*Më datë 26.12.2021, në Durrës, në një market në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash;

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi A. F., 31 vjeç, dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së 4 pikturave, në një dyqan.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet, një granatë (e gjetur në banesën e shtetasit K. L.), mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, 1 biçikletë, 4 piktura, një sasi parash dhe një mjet prerës për lëndë drusore.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të shpallur në kërkim, si dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.