Vendosni fjalën kyçe....

Vota e emigrantëve/ Celibashi: Urdhri i Gjykatës Kushtetuese duhet zbatuar menjëherë, partitë politike duhet të vendosin


Kryekomsioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka dhënë sot një deklaratë për mediat në lidhje me procesin e zgjedhor të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Celibashi u shpreh se partitë politike dhe Kuvendi duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Sipas kreut të KQZ-së duhet që urdhri i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet menjëherë. Nëse situata nuk ndryshon tha Celibashi, do të jetë e pamundur që të ketë votim nga jashtë në zgjedhjet parlamentare të 2025.

“Kuvendi dhe Partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Jemi në dijeni të faktit të Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje. Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin”, tha Celibashi.

Po ashtu kryekomsioneri i Celibashi tha se partitë politike duhet të vendosin ‘tani’ edhe një lidhje me të ardhmen e votimit elektronik.

“Partitë politike dhe aktorë të tjerë duhet të vendosin tani në lidhje me të ardhmen e votimit elektronik. Nëse kanë interes ta shtrinë do të duhet të vendosin tani dhe do të duhet që fondet të vihen në dispozicion të KQZ-së sa më shpejt të jetë e mundur. Ka qenë një sfilitje nga çdo pikpamje përgatitja e votimit elektronik për zgjedhjet e fundit lokale”,- tha Celibashi.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese urdhëroi politikën që të të garantojë ndryshimet ligjore në mënyrë që të bëhet i mundur votimi i emigrantëve. Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Shoqatës ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’.

Në dispozitivin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se është konstatuar cenimi i së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. Ndaj Kushtetuesja urdhëron detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ky vendim lidhet vetëm me zgjedhjet parlamentare.

Shoqata ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ çoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke pretenduar për cenim të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve.