Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim në objektin e kompanisë së distribuimit të energjisë në Prishtinë, një i plagosur


Një shpërthim ka ndodhur sot në zyrat qendrore të kompanisë së distribuimit të energjisë KEDS-it në Prishtinë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme ndërkohë që i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili është shprehur: “Ka ndodhur një shpërthim gjatë operimeve. Një punëtor është lënduar gjatë inspektimit. Është njoftuar policia dhe ndihma e shpejtë. Punëtori është jashtë rrezikut për jetë nga të dhënat që i kemi marrë nga spitali.”

Më pas KED-s ka publikuar një njoftim për mediet ku thuhet se incidenti ka ndodhur gjatë punimeve për të rregulluar një defekt.

“Gjatë procesit të rregullimit të një prishjeje që furnizon një pjesë të lagjes Ulpiana, ka ndodhur një aksident në nënstacionin Prishtina 6 110/10KV. Si pasojë e këtij aksidenti një punëtor i KEDS është lënduar. Fatmirësisht, sipas informative që kemi marrë nga emergjenca që punëtori ynë është jashtë rrezikut për jetë. Nënstacioni për shkak të këtij aksidenti për momentin është jashtë pune. Ky nënstacion përfshinë daljet që furnizojnë qendrën, Ulpianën dhe një pjesë e Bregut të Diellit, Dardanisë dhe Aktashit. Ekipet tona tanimë janë duke punuar në rregullimin e prishjes dhe energjizimin e nënstacionit.”- thuhet në njoftim.