Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi për protestën e thirrur sot nga Berisha: Sot nuk është hera e parë që vjen Vuçiçi në Tiranë, demokratët mos të ç’fokusohen


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u pyet sot nga gazetarët edhe lidhur me protestën e thirrur pasditen e sotme nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër ardhjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Bardhi u bëri thirrje demokratëve që të mos ç’fokusohen nga beteja kryesore që kanë, që është me atë që e quan regjimi i Edi Ramës. Bardhi tha se protesta e sotme nuk është thirrur nga PD, ndërsa theksoi se kjo nuk ishte hera e parë që Vuçiç vjen në Tiranë.

“Në fakt arsyet e protestës mesa kam ndjekur përmes medias shtohen nga dita në ditë. Në filim është thënë se është një protestë kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç i cili do të mbërrijë sot në Tiranë.

Një ditë më parë për shkak se nuk ishte folur për një aferë të madhe korruptive, shtoi inceneratorët. Sot nga zyra e shtypit më njoftuar se e ka hequr këtë si shkak dhe sot ka shtuar 4 shkaqe të tjera për protestën.

Sigurisht kush është i interesuar është i lirë të protestojë kundër Vuçiçit, kundër Putinit, kundër kujtdo që dëshiron për të protestuar.

Unë kam bindjen që demokratët që i shtohen hallet ditë për ditë, orë pas ore e madje minutë pas minute duan largimin një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës.

Pastaj arsyet për të protestuar cilido i gjen vetë. Sot PD nuk ka thirrur protestë.

Berisha ka thirrur një protestë kundër presidentit serb, që nuk është hera e parë që vjen në Tiranë. Arsyet se pse e ka gjetur në këtë moment, do duhet media t’i hetojë dhe verifikojë. E rëndësishmë është që demokratët të mos ç’fokusohen nga beteja e vetme që kanë me regjimin e Edi Ramës.”– tha Bardhi.