Vendosni fjalën kyçe....

Albana Vokshi: Premtimin e parë Berisha e mbajti sot, Rama në vend të jetë këtu me shqiptarët është me Vuçiçin


Deputetja demokrate Albana Vokshi, në fjalën që mbajti në protestën e sotme ajo kujtoi rrënjët e saj kosovare, ndërsa kritikoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e hapur ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiçi, i cili sipas saj po kërcënon Kosovën e Pavarur.

Në nisje të fjalës së saj, Vokshi theksoi se premtimin e parë që ka bërë ish-Kryeministri Sali Berisha e ka mbajtur sot, për thirrjen e protestës kombëtare për interesin e Shqipërisë.

“Faleminderit që jeni sot të gjithë mijëra këtu, që keni mbushur këtë shesh pasi ju thirri doktor Sali Berisha. Ky është premtimi i parë i mbajtur, që tregon se PD e rithememluar është opozitë e gjallë dhe garant për mbrojtjen e çështjeve të shqiptarëve.

Ne jemi një dhe askush nuk mund të na ndalë të bëjmë këtë bashkim me Kosovën. Është protesta e parë e organizuar nga një parti politike dedikuar një çështje kombëtare.

Unë Albana Vokshi jam bija e Kosovës aq sa jam e bija e Shqipërisë. Kosova është toka e gjyshërve të mi.

Unë jam me origjinën e gjyshrërve, nga Gjakova. E them me krenari që rrjedh nga familje patriotike.

Protesta e sotme sjell një emocion të dyfishtë në aspektin personal dhe politik. Personal si shqiptare me rrënjë nga Kosova martire por krenare, si pasardhëse e Sulejman Vokshit por edhe mbesa e Bajmar Gashit. Si duket historia përsëritet në spiralet e saj. Bajram Gashi, përfaqësues i Pejës dhe i Stogut, u përndoq çdo ditë nga sigurimi i shtetit.

U tradhëtua nga komunistët dhe u vra nga forcat serbe. Ai dha jetën e tij, fali gjakun e tij për Kosovën e pavarur dhe sot Kosova është e pavarur.

Por pavarësinë e saj po e lufton Vuçiçi dhe ata pas Vuçiçit dhe klanet serbe.

Prandaj jam unë sot në këtë protestë. Jam për Kosovën e gjyshërve të mi. Për Shqipërinë time.

Është e pafalshme, e papranueshme dhe e dënueshme që Edi Rama në vend që të jetë këtu me shqiptarët është me Vuçiçin, është e papranueshme që Shqipëria të shërbejë për të përmirësuar imazhin e Serbisë.

Kur askush nuk ka kërkuar ndjesë për mijëra kosovarë që janë vrarë dhe masakruar. Gjyshi im tha: Dëgjoni vllazën, unë gjakun tim ja kam falur Kosovës dhe nuk pajtohem me komunistët dhe ata që bashkëpunojnë. Le të bëhemi bashkë në mbrojtje të ndjenjës kombëtare. Jam e lumtur që sot opozita është e gjallë. Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria.”- deklaroi Vokshi.