Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa del nga shtrati, përmbyten disa banesa dhe toka bujqësore, nisin evakuimet


Reshjet e dendura që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit si dhe reshjet në Greqi i kanë rritur së tepërmi prurjet në lumin Vjosë, i cili si rezultat ka dalë nga shtrati.

Mëngjesin e kësaj të diele, Shtabi i Emergjencave të prefekturës Fier dhe Bashkia kanë njoftuar banorët më pranë shtratit të Vjosës për t’u evakuuar. Po kështu edhe në bashkinë e Vlorës.

Sipas televizionit “News 24”, në disa zona niveli i ujit ka shkuar në 50 cm deri në 1 m.

Si pasojë e daljes së lumit Vjosë nga shtrati, sipas “Report TV” shtëpitë në Fitore të Vlorës janë zhytur nën ujë. Mësohet se deri më tani banesa të tjera të përmbytura ka edhe në Nosovelë, ndërsa diga pranë urës së Mifolit është çarë. Deri më tani janë larguar 11 familje, ndërkohë që vijon të ketë rritje të prurjeve në lum.

Ndërkohë në Ferras, Çerven janë përmbytur serat dhe fermat duke dëmtuar tokat bujqësore, teksa uji ka hyrë deri në katin e parë të banesave.

Ndërkohë nënstacioni elektrik i Poçemit është ndalur që në orën 1:30 të natës dhe janë pa energji elektrike rreth 3700 abonentë. Pa energji janë fshatrat Hekal, Fratar, Selitë, Kutë.