Vendosni fjalën kyçe....

Dje Kuvendi i Berishës e shkarkoi, sot Basha mbledh Këshillin Kombëtar


Një ditë pas Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha që vendosi për ta shkarkuar nga pozita e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha ka thirrur Këshillin Kombëtar.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar do të mbahet në orën 15:00.

Kujtojmë se Basha mbrëmjen e kaluar u shpreh hapur se nuk njeh asnjë vendim të marrë ditën e djeshme në Kuvendin e Berishës dhe ndërkohë ka përgatitur planin për të vepruar kundër tij.

Në një dalje për mediet pas mbledhjes së Kryesisë mbrëmjen e shkuar, Basha tha se ka ndërmend të shkarkojë anëtarët e Kryesisë që nuk mbështesin 18 dhjetorit, por dolën hapur krah Sali Berishës, mes tyre edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

“Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD. Në përgjigje të falsifikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve, dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të partisë, kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite: 1. Miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD-së. 2. Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD-së dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor.”- deklaroi Basha.

Ai theksoi edhe njëherë se Kuvendi i thirrur më 18 Dhjetor nga ai do të mbahet dhe se do të marrin pjesë në të demokratët shqiptarë.

Demokratët që munguan në mbledhjen e Kryesisë dhe pritet të shkarkohen nga Basha janë: Edi Paloka (Kryetar i Këshillit); Belind Këlliçi; Ivi Kaso; Albana Vokshi; Aldo Bumci; Gent Strazimiri; Gert Bogdani; Oerd Bylykbashi; Flamur Noka; Ervin Minarolli; Ledina Mandia; Tomorr Alizoti.

Në Kuvendin e mbajtur një ditë më parë, nga 4491 delegatë që votuan, 4446 prej tyre ishin pro shkarkimit të Lulzim Bashës, kundër ishin 36 e ndërsa 9 vota të tjera u shpallën të pavlefshme.

Në Kuvend u ndryshua edhe statuti i PD-së, si edhe u miratua ngritja e një Komisioni të quajtur Komisioni i Rithemelimit të PD-së me 29 anëtarë në përbërje që do ta marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2020 kur do të thirret një Kuvend i ri.