Vendosni fjalën kyçe....

Mori 10 injeksione me Covid-19 në një ditë të vetme, nën hetim burri në Zelandën e Re


Një burrë në Zelandën e Re është vënë nën hetim nga autoritetet pasi dyshohet se mori deri në 10 vaksina Covid-19 në një ditë të vetme, në vend të njerëzve të tjerë që hezitonin të vaksinoheshin.

Historia e çuditshme e mbivaksinimit u raportua për herë të parë nga faqja e lajmeve Stuff të Premten.

Burri i paidentifikuar besohet se ka vizituar disa qendra vaksinimi brenda një dite, duke marrë deri në 10 injeksione. Ai dyshohet se u pagua nga njerëz që donin të regjistroheshin si të vaksinuar, por ama nuk donin ta merrnin me të vërtetë vaksinën anti-Covid.

Në Zelandën e Re, njerëzit nuk duhet të paraqesin mjet identifikimi kur marrin vaksinën, duke e bërë më të lehtë skemën e guximshme të zotërisë.

Incidenti u pranua nga Ministria e Shëndetësisë e vendit. Drejtuesja e grupit të vaksinimit Astrid Koornneef, konfirmoi se autoritetet ishin “të vetëdijshme për çështjen”. Zyrtarja megjithatë, nuk ka treguar se ku ka ndodhur saktësisht mashtrimi i supozuar.

“Ne po e marrim këtë çështje shumë seriozisht. Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë dhe po punojmë me agjencitë përkatëse.”- tha Koornneef për Stuff. “Nëse njihni dikë që ka marrë më shumë doza vaksinash sesa rekomandohet, ata duhet të kërkojnë këshilla klinike sa më shpejt të jetë e mundur.”

Ekspertët e vaksinave dhe imunologët nxituan të dënojnë rastin, duke paralajmëruar se mashtrime të tilla mund të jenë potencialisht të dëmshme për ata që i bëjnë ato. Vaksinologia dhe profesoresha e asociuar në Universitetin e Auckland, Helen Petousis-Harris e quajti një sjellje të tillë si “pabesueshmërisht egoiste”.