Vendosni fjalën kyçe....

Policët e Londrës qëllojnë për vdekje një person pranë Pallatit Kensington


Oficerët e Policisë Metropolitane të Londrës kanë qëlluar për vdekje një burrë të armatosur pranë Pallatit Kensington, shtëpia e Princit William dhe Kate Middleton.

Oficerët u dërguan në lagjen qendrore të Londrës në Kensington të shtunën pasdite për të hetuar raportet për një burrë të armatosur që po hynte në një bankë dhe në një pikë bastesh. Sipas një njoftimi të policisë, burri u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet dhe u ndalua në Portën e Pallatit pak më pas.

Policia thotë se pati të shtëna dhe burri “mori plagë me armë zjarri” përpara se të shpallej i vdekur në vendngjarje pak më vonë.

Detajet e ngjarjes janë të pakta. Gazeta online e lajmeve MyLondon citoi disa dëshmitarë që kishin dëgjuan tre të shtëna, dhe të tjerë përshkruan se dëgjuan policinë duke urdhëruar të dyshuarin të ngrinte duart. Pas të shtënave, oficerët u panë duke i dhënë ndihmën e shpejtë të plagosurit.


Pamjet video nga vendi i ngjarjes tregojnë një prani të madhe të policisë në vend rreth një orë pas incidentit.

Të shtënat ndodhën pranë Pallatit Kensington, shtëpia e Princit William dhe gruas së tij, Dukeshës së Kembrixhit. Megjithëse policia po bën ende përpjekje për të identifikuar autorin e armatosur, incidenti nuk po trajtohet si terrorizëm.