Vendosni fjalën kyçe....

Ibsen Elezi kritikon listën me 29 emra të Komisionit të Rithemelimit: U zgjodhën pa garë, ka sorosianë dhe spiunë të sigurimit të shtetit


Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi ka disa kritika për Kuvendin Kombëtar që po zhvillohet sot në “Air Albania“ të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai bëri kritika të forta lidhur me ngritjen e Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe listën prej 29 emrash në përbërje të tij.

Sipas Elezit, zgjedhja e këtyre emrave duhej të bëhej përmes një procesi votimi duke ngritur akuza se mes 29 të zgjedhurve ka sorosianë e spiun të Sigurimit.

 “Unë nuk dua t’ja humb shijen e mirë këtij Kuvendi, si një Kuvend që ka mundësi që të sjellë një ndryshim të madh. Por një Kuvend që e nis zanafillën e punës së vetë nëpërmjet emërimeve që u bënë sot. U propozuan formalisht 30 vetë, pa asnjë garë e procedurë. Nga erdhën dhe si erdhën emrat. Është e rëndësishme që kur merr iniciativa politike si Kuvend, emrat kanë shumë rëndësi. Aty brenda listës me 29 emra gjen sorosianë dhe anti-sorosianë. 5 ose 6 i di unë. Gjen spiuna të sigurimit të shtetit. Gjen dhe burra të ndershëm. Ky konglomerat nga vjen, ku janë filtrat e zgjedhjes dhe kush e mori përgjegjësinë e kësaj zgjedhje.

Janë filtra të figurës morale të drejtuesit që zgjidhet në krye të PD-së. Nëse kemi marrë përgjegjësinë e madhe për të zhvilluar një proces të ndryshëm nga ajo që ishte më sot, këto janë gjëra të rëndësishme për tu marrë në konsideratë. Lulzim Basha e pati fajin? Patjetër, por Basha të gjitha këto shkelje dhe poshtërsi që janë përmendur, nuk i bëri vetëm, por shumicën e bëri me ju. E mbështetët. Shumë që folën këtu, kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të Bashës në 2013. Zgjedhjet e 13 qershorit ndikuan përqindjen fiktive.”– tha Elezi.

Pavarësisht këtyre kritikave, Elezi kishte edhe disa fjalë të mira për Kuvendin e sotëm duke thënë se pavarësisht kësaj pritet të sjellë ndryshime në parti.