Vendosni fjalën kyçe....

Putin thotë se do të ishte “kriminale” që Rusia të lejojë Ukrainën të anëtarësohet në NATO


Vladimir Putin thotë se Rusia ka frikë legjitime mbi rrezikun e stacionimit të pajisjeve ushtarake amerikane pranë kufijve të saj, duke këmbëngulur se ende shpreson që bisedimet me Uashingtonin të lehtësojnë tensionet.

Në një konferencë shtypi në Soçi të përbashkët me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, Putin tha sot se “do të ishte mosveprim kriminal nga ana jonë të shikojmë gjithçka që po ndodh” kur bëhet fjalë për perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës fqinje në NATO.

Sipas tij, “Rusia kryen politikë të jashtme paqedashëse, por ne kemi të drejtë të sigurojmë sigurinë tonë”, duke paralajmëruar se armët e bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA-të mund të vendosen dhe më tej drejt lindjes, nëse Kievit i konfirmohen shpresat për anëtarësim.

Megjithatë, Putin shtoi se negociatat e zhvilluara një ditë më parë me presidentin amerikan Joe Biden mund të ndihmojnë ende në uljen e tensioneve që janë ndezur midis Moskës dhe Uashingtonit javët e fundit.

“Bisedimet ishin shumë të hapura, thelbësore dhe konstruktive. Shpresoj që pala amerikane t’i shohë rezultatet në të njëjtën mënyrë. Ne kemi mundësinë për të vazhduar dialogun, kjo është gjëja më e rëndësishme.”– shtoi lideri rus, citon RT.

I pyetur për mundësinë që Moska të nisë një pushtim kundër Ukrainës, Putin tha se pyetja ishte “provokuese“, duke këmbëngulur se vendi i tij do të vepronte vetëm në vetëmbrojtje.

“Ne jemi sigurisht të shqetësuar për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, sepse kjo do të rezultonte në vendosjen e bazave ushtarake dhe trupave në territorin e Ukrainës.”– shtoi ai.

Zyrtarët në Kiev dhe Uashington kanë lëshuar një sërë paralajmërimesh javët e fundit, duke pretenduar se Rusia mund të nisë një ofensivë të gjithanshme kundër fqinjit të saj.

Kremlini i ka hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet, me sekretarin e shtypit të Putinit, Dmitry Peskov, që i ka cilësuar këto lajme si “të pabaza“, duke këmbëngulur se kjo retorikë është pjesë e një fushate “dezinformimi” të udhëhequr nga SHBA-të.