Vendosni fjalën kyçe....

‘Lufta e vaksinave’, Pfizer akuzohet për ‘sabotim’ të rivales AstraZeneca


Prodhuesi amerikan i ilaçeve, Pfizer, po mohon çdo akuzë pasi një dokumentar televiziv britanik tregoi se një prezantim i bërë në emër të tij kishte kritikuar një vaksinë rivale Covid-19 të prodhuar nga AstraZeneca, si potencialisht të pasigurt.

Gazetarët për programin investigativ ‘Dispatches’ të Channel 4, të shfaqura të hënën, thanë se një prezantim i Pfizer e përshkroi vaksinën e AstraZeneca kundër Covid-19 si të pasigurt për pacientët me sistem imunitar të kompromentuar dhe si potencialisht të rrezikshme për të shkaktuar kancer.

Fjalimi u mbajt në Kanada diku vitin e kaluar, por ishte e paqartë nëse ishte një ngjarje e vetme apo folësi e kishte bërë pretendimin disa herë. Programi, i titulluar ‘Luftërat e Vaksinave: E vërteta rreth Pfizer’, transmetohet të premten.

Pfizer u përgjigj duke thënë se prezantimi i ishte ‘atribuuar gabimisht’ dhe ishte dorëzuar nga një palë e tretë.

“Ne hedhim poshtë çdo sugjerim që Pfizer ka kërkuar të minojë përpjekjet shkencore të të tjerëve.” – tha një zëdhënës i kompanisë për Daily Mail.

 “Prioriteti ynë ka qenë gjithmonë marrja e vaksinave me cilësi të lartë, të toleruara mirë dhe efektive për pacientët në të gjithë botën sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndihmojmë për t’i dhënë fund kësaj pandemie vdekjeprurëse.” – shtoi ai.

Zëdhënësi shpjegoi se Pfizer kishte paguar një agjenci të palës së tretë për të krijuar një program edukativ rreth vaksinave në Kanada, pasi qeveria në Otava kishte miratuar produktin e Pfizer për përdorim në vend.

Emisioni ‘Dispatches’ tha se kostot e prodhimit të Pfizer ishin vetëm 76 pens (1,01 dollarë) për dozë, por kompania po i merrte qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar 22 stërlina (29,17 dollarë) për dozë – një rritje prej 3,000%. Pfizer tha se vlerësimi ishte ‘shumë i pasaktë’ dhe nuk merrte parasysh koston e studimeve klinike, ‘prodhimin në shkallë masive’ dhe shpërndarjen globale.

AstraZeneca, e cila zhvilloi vaksinën e saj në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se ka shitur vaksinën e saj me kosto 3.60 stërlina (4.77 dollarë), duke humbur 21 miliardë stërlina (27.84 miliardë dollarë) të ardhura të mundshme, ndërsa Pfizer ka parë një fitim të papritur nga vaksina.

Megjithatë, vaksina e AstraZeneca është ndikuar nga raportet për mpiksje gjaku potencialisht fatale në popullata të caktuara, dhe në vend të kësaj, Mbretëria e Bashkuar ka porositur dy herë më shumë vaksina Pfizer.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani