Vendosni fjalën kyçe....

“Berisha po keqpërdor ndjeshmëritë e demokratëve” – Basha shpjegon pse po e mbledh Kuvendin Kombëtar më 18 Dhjetor


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për dy Kuvendet Kombëtare që do të mblidhen këtë muaj, ai i datës 11 nga Sali Berisha dhe ai i 18 dhjetorit nga vetë kryedemokrati.

 Në një intervistë për Neës24, Basha akuzoi Berishën se e ka këtë betejë për interesin e tij personal.

Sipas tij, ish-kryeministri po përpiqet të instrumentalizojë, të përdorë dhe të keqpërdorë ndjeshmëritë e demokratëve për gjendjen ku ndodhet partia dhe Shqipëria.

“Pra, ne kemi shpalosur me një betejë që ka të bëjë së pari me ngjarjet e këtij viti, masakrën zgjedhore të 25 prillit, që ka ndaluar, është në një arrest kardiak Shqipëria politikisht, nga pikëpamja ekonomike. Ka një ankth pezull në Shqipëri që ndihet kudo. Dhe nuk ka të bëjë me COVID-in apo me gjendjen e rënduar ekonomike edhe të para zgjedhjeve, ka të bëjë pikërisht me faktin se një instrument i vetëm, për ndryshimin e gjendjes që janë zgjedhjet, u shkatërruan në 25 prill. Tani, gjithë kësaj beteje i mbivendoset interesi personal dhe halli personal i Sali Berishës, pas shpalljes së tij non grata. Kështu që nga kjo pikëpamje mund te them se Partia Demokratike, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, shumica dërrmuese e demokratëve që me të vërtet dhe me të drejtë duan drejtësi për masakrën e 25 prillit, duan t’i prinë rrugës së ndryshimit për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për demokratët, janë më e pakta të mërzitur me faktin që kësaj beteje i mbivendoset një aktivitet politikë i zotit Berisha që përpiqet t’i intrumentalizojë, të përdorë dhe të keqpërdorë ndjeshmëritë e demokratëve për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike dhe Shqipëria pas masakrës zgjedhore të 25 prillit.”- tha Basha.

Lidhur me pyetjen se pse vendosi që Kuvendin ta mbante pas datës 11 që kishte kërkuar Berisha, Basha iu përgjigj kështu: ”Ka disa përcaktime partia mbi të cilat funksionon dhe ka disa arsye për këto përcaktime. Dhe Kuvendi Kombëtar njoftohet gjithmonë 30 ditë përpara organizimit të tij. Dhe kryesia e Partisë Demokratike, në përputhje me statutin e Partisë Demokratike, me këto përcaktime, ka vepruar në këtë mënyrë. Më 15 nëntor është mbledhur Kryesia, dhe siç është raportuar tashmë, me një shumicë dërrmuese ka vendosur për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18 dhjetor, ora 11, në Pallatin e Kongreseve.”