Vendosni fjalën kyçe....

Australia nis hetimin parlamentar ndaj gjigandëve teknologjikë


Australia bëri të ditur sot se do të mbikëqyrë me kujdes kompanitë e mëdha të teknologjisë ndërsa shqyrton materialet toksike në platformat e mediave sociale dhe rreziqet që paraqesin për mirëqenien e qytetarëve të saj.

Hetimi parlamentar i kryesuar nga deputetja Lucy Wicks u paralajmërua nga kryeministri Scott Morrison dhe ministri i Komunikimeve Paul Fletcher.

“Gjigantët e teknologjisë duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve të mëdha”, tha Morrison, duke shtuar se hetimi bazohet në legjislacionin që Australia shpalli në fillim të kësaj jave për të demaskuar karremët anonimë në internet.

“Nënat dhe baballarët me të drejtë janë të shqetësuar nëse gjigantët e teknologjisë po bëjnë mjaftueshëm për t’i mbajtur fëmijët e tyre të sigurt në internet. Teknologjitë e mëdha krijuan këto platforma dhe ata kanë përgjegjësinë të sigurojnë që përdoruesit e tyre të jenë të sigurt”, tha kryeministri.

Sipas Fletcher, zbulimet shqetësuese nga një “fishkëllues” i Facebook-ut kanë shtuar shqetësimet ekzistuese në komunitet. Frances Haugen ka akuzuar drejtorin e përgjithshëm Mark Zuckerberg se po përpiqet për fitime më të larta duke mos treguar shqetësim për sigurinë e përdoruesve.

“Ky hetim do t’u japë mundësi organizatave dhe individëve që të shprehin shqetësimet e tyre ndërsa teknologjitë e mëdha do të japin llogari për sjelljen e tyre. Do të jetë një mundësi shumë e rëndësishme për të shqyrtuar praktikat e këtyre kompanive dhe nëse duhet bërë më shumë”, tha ai.

David Coleman, ndihmës ministër i kryeministrit për shëndetin mendor dhe parandalimin e vetëvrasjeve tha se në Australi ka një rritje të vazhdueshme të shenjave të shqetësimit dhe sëmundjeve mendore tek të rinjtë.

“Ndërsa arsyet për këtë janë të ndryshme dhe komplekse, ne e dimë se mediat sociale janë pjesë e problemit”, tha ai. “Ne e dimë se nuk mund t’u besojmë kompanive të mediave sociale se veprojnë në interesin më të mirë të fëmijëve, kështu që ne do t’i detyrojë ta bëjnë këtë”, thekson Coleman.

Ai iu referua rrjedhjes së fundit të hulumtimit të brendshëm të Facebook-ut, i cili demonstron ndikimin që platformat e mediave sociale mund të kenë në imazhin e trupit dhe shëndetin mendor të të rinjve.

Në fillim të këtij viti, Australia zbatoi një ligj të ri që detyronte kompanitë e teknologjisë të paguajnë mediat lokale për përmbajtjen e lajmeve të shfaqura në platformat e tyre, hap ky të cilit fillimisht Google dhe Facebook i rezistuan përpara se të lidhnin marrëveshje me grupet mediatike.

Facebook kohët e fundit u riemërua në Meta ndërsa zbulimi i mijëra dokumenteve të brendshme ka nxitur thirrje të reja për të frenuar fuqinë e kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.

Të martën, Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve i Britanisë së Madhe urdhëroi Facebook-un të shesë Giphy, një kompani që ofron media sociale dhe platforma mesazhesh me imazhe të animuara, pasi zbuloi se marrëveshja mund të dëmtonte përdoruesit e mediave sociale dhe reklamuesit në Britani të Madhe.