Vendosni fjalën kyçe....

‘Decathlon’ ndalon shitjet e kajakëve në veri të Francës, emigrantët i përdorin për të shkuar në Britani


Rrjeti francez i shitjes me pakicë të sporteve Decathlon po tërheq kajakët nga shitja në dyqanet e tij në Calais dhe Dunkirk në bregun verior, për shkak të frikës se ato mund të përdoren nga emigrantët që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez për të mbërritur në Britani.

“Blerja e këtyre kajakëve nuk do të jetë më e mundur në të dy dyqanet, në reagim ndaj gjendje së tanishme”, tha kompania për AFP, duke konfirmuar një raport në gazetën rajonale ‘La Voix du Nord’.

Një zëdhënës shpjegoi se artikujt janë ‘shmangur nga përdorimi i tyre sportiv’ dhe ‘mund të shërbejnë si varka të vogla për të kaluar kanalin anglez’, duke shtuar se produktet nuk janë të projektuara për një udhëtim të tillë.

Përdorimi i kajakëve për këtë qëllim ‘mund të rrezikojë jetën e njerëzve që i ngasin’, tha zëdhënësi, duke treguar se vendimi për tërheqjen e tyre nga shitja është marrë nga dyqanet dhe miratuar nga kompania.

Decathlon thotë se kajakët janë ende në shitje në internet dhe në pikat e tjera të kompanisë, duke theksuar se ‘produktet që lejojnë përmirësimin e sigurisë në det, si xhaketat e shpëtimit, rremat ose mbrojtja termike do të jenë ende të disponueshme’ në dyqanet Calais dhe Dunkirk.

Të premten e kaluar, tre emigrantë u raportuan të zhdukur pasi u përpoqën të kalonin Kanalin me kajakë për të arritur në Angli. Dy kajakë u gjetën në brigjet e Calais të enjten.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani