Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti: Të flasim si diplomatë dhe të punojmë si patriotë


Fjalën e tij në mbledhjen mes dy qeverive, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e nisi duke shprehur ngushëllime për ata që humbën njerëzit e tyre të dashur në tërmetin e 26 Nëntorit të dy viteve më parë.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Kurti u shpreh se marrëveshjet që janë firmosur mes dy qeverive duhet të gjejnë zbatim dhe se dy vendet duhet të punojnë si patriot dhe të flasin si diplomatë.

 “Më lejoni që fillimisht të përkujtoj që sot janë mbushur 2 vjet nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë. Familjarët e 51 viktimave kanë pikëllim të veçantë sot. Dhimbja e tyre është edhe dhimbja jonë.

Kjo është mbledhja e 7 ndërqeveritare, por është mbledhja e parë e imja, vitin e kaluar isha kryeministër 4 muaj, kësaj radhe po bëhen 8 kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo vetëm si kryeministër, kam një ndjesi të veçantë që nuk përshkruhet lehtë. Një këngëtar i njohur thotë se ne jemi Lis me dy degë, pra me pak fjalë jemi një, pavarësisht 2 dialekteve që sa vjen e po njësohen.

Ka një lloj ndrydhjeje të dëshirave dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë, sidomos pas ndryshimit të simboleve që ka rezultuar me një lloj tronditje kolektive, e gjithë shoqëria në Kosovë, kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme dhe nuk është politikisht korrekte të flasësh për këtë.

Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, të thuash se kemi dy shtete e jemi më të fortë është shkurtpamësi, të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar të shquajnë për nacionalist, e të thuash se do të bashkohesh në BE të shquajnë për diplomat. Kohët e fundit duket se kjo e fundit është më e preferuar dhe ka më shumë sukses, prandaj le të flasim si diplomatë e të punojmë si patriotë.

Sa më i mirë projektuar horizonti i marrëdhënieve tona, integrimi ynë është trategjik por edhe qëllimor. Progresi i marrëveshjeve duhet të shoqërohet me cilësi në bashkimin e tyre dhe si patriotë duhet t’i bashkojmë dy vendet tona e të luftojmë korrupsionin. Sepse patriotizëm sot është të luftosh krimin, të punosh për lirinë e mediave dhe ekonomi gjithëpërfshirëse dhe vetëm ky lloj patriotizmi do i forcojë dy vendet tona.”-tha Kurti.