Vendosni fjalën kyçe....

Deputetja britanike merr me vete djalin 3 muajsh në Parlament por kritikohet për këtë


Një deputete britanike ka mësuar që nuk mundet dot ta sjellë fëmijën e saj në Parlament.

Stella Creasy nga partia Laburiste u informua se ishte kundër rregullave për të sjellë një fëmijë në një debat në Westminster Hall, pasi ajo e solli me vete djalin e saj tre muajsh të martën. Për këtë arsye ajo kërkon që kjo të ndryshojë dhe të bëhet e mundur që “politika dhe prindërimi të përzihen bashkë”.

Creasy i tha BBC-së se më parë e kishte marrë vajzën e saj të porsalindur, dhe të njëjtën gjë kishte bërë të martën dhe me djalin të cilin po e ushqen me gjii.

Por këtë radhë, ajo mori një email zyrtar se rregullat ishin ndryshuar në shtator.

“Me sa duket Parlamenti ka shkruar një rregull që më ndalon të marr fëmijën tim të mbarë, 3 muajsh, të fjetur kur flas në Parlament. (Ende nuk ka rregull për mbajtjen e maskave meqë ra fjala).

Mesa duket nënat nuk janë për t’u parë apo dëgjuar në Parlament” – shkruan ajo duke zbuluar edhe email-in që ka marrë.

Tani ajo po bën thirrje që të rishikohet rregullorja e deputetëve dhe ka kërkuar nga autoritetet e Dhomës së Ulët se çfarë duhet të bëjë nëse vazhdon ta sjellë djalin e saj në punë.