Vendosni fjalën kyçe....

Qëndrimi i plotë i Metës për vakancat në Gjykatën Kushtetuese


Zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi, ka dalë në konferencë për shtyp, ku ka bërë me dije miratimin nga ana e kreut të shtetit të ligjeve që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi.

Në fjalën e tij, Blushi tha se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një organ kyç për funksionimin e reformës në drejtësi është bllokuar për dy vite radhazi pavarësisht përpjekjeve të presidentit Meta, edhe në kohën kur ai ishte kreu i Kuvendit.

Miratimi i këtij ligji mundëson ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, nënvizoi Blushi.

‘Dua të bëj publik një vendim të rëndësishëm të presidentit të Republikës, i cili në ushtrim të kompetencave të tij dhe në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës me dekretin numër 11242 datë 30/07/2019 ka miratuar shpalljen e ligjit numër 47/2019 për disa shtesa e ndryshime në ligjin 115/2016 për organet e qeverisjes së sitemit të drejtësisë.

Presidenti i Republikës, që prej muajit janar-shkurt 2017, ka insistuar në vijimësi për realizimin e ndryshimeve të domosdoshme ligjore të nenit 221 të këtij ligji shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar këtë dispozitë të ligjit (nenit 221) në mënyrën se si ato ishin parashikuar u konstatua që në janar 2017 moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonin kandidatët për t’u përfshirë në shortin për tu zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi.

Organet respektive të asaj kohe (Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së) që duhej të propozonin, apo të cilave ju është kërkuar propozimi i kandidaturave për hedhjen e shortit për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në këto 3 vjet nuk kanë patur të gjithë mundësinë për të zbatuar nenin 221 në mënyrë të unifikuar, pasi jo të gjitha organet kishin në përbërjen e tyre, kandidatë që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës, siç e kërkonte domosdoshmërisht kjo dispozitë ligjore që sot po ndryshon.

Zbatimi rigoroz i kësaj dispozite diktonte problematikë në realizimin e shortit dhe kufizimin e numrit të kandidatëve për tu zgjedhur anëtar të KED.

Paqartësia dhe pamundësia e zbatimit praktik dhe në kohën e duhur të nenit 221, apo e dispozitave të tjera të ligjit nr. 115/2016, që u konstatuan më pas nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese me Vendimin nr.41, dt 16.05.2017 dhe Vendimin nr.78, datë 12.12.2017, kanë provokuar gjithmonë jo vetëm debat politik e publik, por veçanërisht kanë shkaktuar problematika thelbësore duke penguar zbatimin rigoroz të procedurave ligjore për hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke mundësuar bllokimin e këtij organi të rëndësishëm e për rrjedhojë duke pamundësuar plotësimin e vakancave të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ shumë përcaktues për integritetin e sistemit të drejtësisë. Ky organ është bllokuar për dy vite radhazi në mënyrë të pajustifikueshme pavarësisht nga përpjekjet sistematike të Presidentit Meta jo vetëm që prej marrjes së kësaj detyre, por dhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës ka kërkuar në vijimësi përmirësimin e dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe plotësimin e vakumit të krijuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë shfuqizuar disa dispozita të ligjit nr 115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Më në fund, pas 30 muajsh, Kuvendi me ligjin nr. 47/2019, miratuar në datë 18.07.2019, ka përmirësuar nenin 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ka plotësuar vakumin ligjor.

Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Gjithashtu dua t’ju bëj me dije se presidenti i Republikës, Ilir Meta, në ushtrim të kompetencave të tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, ka dekretuar me miratim 3 ligje të miratuara nga Kuvendi i shqipërisë dhe më konkretisht:

Më dekretin 11241 datë 30/07/2019 ka shpallur ligjin Për Mbrojtjen Civile, meqë sot ka patur një paqartësi nga zëdhënësja më e re e zoptit Tsenelis.

Gjithashtu ka miratuar shpalljen e ligjit numër 55/2019 për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 9975 datë 28/07/2008 për taksat kombëtare të ndryshuara.

Ka dekretuar gjithashtu shpalljen e ligjit 57/2019 për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti i rRpublikës në mbështetje të nenit 84, 85 pika 1 dhe 93 të Kushtetuirës që prej marrjes së detyrës përgjatë gjithë veprimtarisë kushtetuese në procesin legjislativ të shqyrtimit dhe dekretimit të ligjeve nga korriku 2017 deri korrik 2019 ka marrë mnë shqyrtim 193 ligje.

Nga të cilat ka dekretuar me shpallje 156 ligje, ka dekretuar kthimin për rishyqrtim në Kuvend të të 14 ligjeve si dhe ka vendosur të lerë në heshtje 16 ligje. Ju bëj me dije se Presidenti i Republikës ka në shqyrtim 7 ligje.

Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave kushtetuese për shqyrtimin dhe për t’u shprehur me dekret për ligjet e përcjella nga Kuvendi i Shqipërisë ka bërë vlerësimin e përputhshmërisë së tyre në raport me:

  1. Parimet Kushtetuese dhe dispozitat e saj
  2. Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese
  3. Akte ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar apo ka ratifikuar
  4. Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut
  5. Kuadrin ligjor aktual në Republikën e Shqipërisë
  6. Parimet themelore të shtetit të së drejtës
  7. Interesin publik
  8. Mbrojtjen e pronës dhe të mirës publike
  9. Vlerave më të larta të shoqërisë dhe interesit kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *