Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehet në detyrë pas marrëveshjes më ushtrinë kryeministri i rrëzuar i Sudanit


Kryeministri i rrëzuar i Sudanit Abdalla Hamdok u rikthye në detyrë të dielën pas nënshkrimit të një marrëveshjeje politike me ushtrinë.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Hamdok dhe gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i këshillit ushtarak në pushtet, i jep fund një krize disajavore që kërcënoi të minonte tranzicionin politik të Sudanit.

Marrëveshja prej 14 pikash përcakton se një deklaratë politike e vitit 2019 do të jetë baza për tranzicionin në Sudan dhe se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2023 siç ishte planifikuar. Ai gjithashtu parashikon që kryeministri të formojë një ‘kabinet teknokrat’.

Marrëveshja kërkon gjithashtu formimin e të gjitha institucioneve kalimtare, duke përfshirë Asamblenë Legjislative dhe Gjykatën Kushtetuese, si dhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Duke iu drejtuar ceremonisë së nënshkrimit në Khartoum, Hamdok tha se marrëveshja politike do të korrigjojë rrugën e revolucionit dhe tranzicionit politik në Sudan.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje kornizë politike do të hapë derën për të adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura të periudhës së tranzicionit gjatë dy viteve të fundit dhe nën këtë partneritet ne kemi arritur të bëjmë shumë,” tha Hamdok.

“Ne e kemi rikthyer Sudanin në komunitetin ndërkombëtar, kemi hequr emrin e tij nga lista e zezë terroriste dhe shumë arritje të tjera. Megjithatë, ne kemi ende shumë sfida përpara”, shtoi ai.

Al-Burhan, nga ana e tij, tha se marrëveshja ishte hapi i parë për të zgjidhur krizën me të cilën përballet tranzicioni politik në Sudan.

Ai shtoi se dialogu do të zhvillohet me të gjitha partitë politike në Sudan, përveç ish-partisë në pushtet të presidentit të rrëzuar Omar al-Bashir.