Vendosni fjalën kyçe....

“Ose do bëni vaksinën ose do vdisni nga virusi” – Orban paralajmëron ata që kundërshtojnë vaksinat


Vaksinimi i të gjithë qytetarëve hungarez kundër Covid-19 është i pashmangshëm, ka thënë kryeministri Viktor Orban, duke deklaruar se edhe ata që i kundërshtojnë vaksinat në vend do përballen përfundimisht me një zgjedhjeje mes vdekjes nga virusi ose vaksinimit.

Duke folur për radion Kossuth të premten, udhëheqësi hungarez sulmoi ata që hezitonin të vaksinohen kundër koronavirusit, duke i quajtur ata një kërcënim ‘jo vetëm për veten e tyre, por për të gjithë të tjerët’.

“Në fund, të gjithë do të duhet të vaksinohen, edhe ata që janë kundër vaksinave do ta kuptojnë se ose do të vaksinohen ose do të vdesin. Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.” – tha Orban.

Vendi i BE-së po përjeton valën e katërt të koronavirusit, deklaroi Orban, duke fajësuar për gjendjen e rëndë personat e pavaksinuar.

“Nëse të gjithë do të vaksinoheshin, nuk do të kishte valë të katërt ose do të ishte vetëm një e vogël”, pohoi kryeministri.

“E vetmja gjë që na mbron nga virusi është vaksinimi. Dhe ne po shohim gjithashtu, të paktën ekspertët janë të njëzëshëm duke thënë, se katër deri në gjashtë muaj pas vaksinimit të dytë, fuqia mbrojtëse e vaksinës dobësohet. Prandaj, një dozë e tretë është e justifikuar”, shtoi ai.

Hungaria ka njoftuar tashmë masa të reja kundër Covid, edhe pse disi më pak nga masat e rrepta të propozuara nga Dhoma Mjekësore e vendit të mërkurën.

Organi mjekësor bëri thirrje për një ndalim të plotë të veprimtarive masive dhe sugjeroi që të kushtëzohej hyrja në restorante, teatro dhe ambiente të tjera të brendshme me mbajtjen e një certifikate vaksinimi Covid-19.