Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk kam kohë” – Ina Zhupa i kërkon dorëheqjen Ministres për Fëmijët: Sot tregove se nuk je e denjë për detyrën


Deputetja dhe Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka kërkuar dorëheqjen e ministres për Fëmijët, Bora Muzhaqi, pasi ajo nuk pranoi t’u jepte përgjigje gazetarëve në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka tronditur opinionin publik, për vrasjen e 8-vjeçarit dhe rastet e abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve.

Zhupa shkruan se ministrja Muzhaqi ka refuzuar që të japë sqarim në lidhje me regjistrin kombëtar për krimet seksuale. Sipas saj, Bora Muzhaqi nuk është e denjë të bëjë politika për fëmijët shqiptarë.

“Dy realitete krejt të ndryshme kishte sot në Tiranë. Familjarët e Mateos, të dërrmuar nga dhimbja, që kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të firmosur kthimin e dënimit me vdekje dhe Ministrja e Edi Ramës për fëmijët, që shpërfill me buzëqeshje dhimbjen e pamasë për vrasjen makabre të vogëlushit. Bora Muzhaqi ikën pa thënë asnjë fjalë për të, pa treguar aspak dhimbsuri, përulësi dhe përgjegjshmëri për detyrën e saj.
Kur të shihni videon, jam e sigurt se do të revoltoheni njësoj si unë. Dhe nuk e them këtë, sepse unë jam deputete e opozitës, që shoh më të këqijat tek qeveria. Jam e revoltuar si nënë dhe si qytetare, kur shoh Ministren për Fëmijët të na përplasë në fytyrë VKM-në e detyrave të saj.
Zonja Ministre! Ju sot duhet të jepni dorëheqjen, sepse nuk jeni e denjë të bëni politika për fëmijët tanë!
Jeta dhe mirëqenia e një fëmije është çështje shumë më e madhe sesa një VKM. Por ju këtë zonja Ministre nuk mund ta kuptoni, sepse jeni në atë detyrë jo për meritën tuaj, por sepse Edi Ramës i duhet buzëqeshja juaj!”-
shkruan Zhupa.

Muzhaqi përveçse u tha gazetarëve se nuk kishte kohë të përgjigjej, u kërkoi atyre të lexonin VKM-në që përcakton përgjegjësitë e saj duke lënë të kuptohej se nuk ishte në kompetencat e saj.