Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti emëron ministrin e ri të Shëndetësisë, ai është kirurgu Rifat Latifi


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka emëruar Rifat Latifin si ministrin e ri të Shëndetësisë. Ky vendim vjen një muaj e gjysmë pasi Arben Vitia dha dorëheqjen nga ky post.

Latifi është kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester, New York. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti në një konferencë për media.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi.”- deklaroi Kurti, i cili shtoi se Latifi ka ardhur të dielën në Prishtinë nga New York-u.

Me të marrë detyrën e ministrit, Latifi ka deklaruar se bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrisin standardet mjekësore.

“Unë premtoj se ekipi im dhe unë do të angazhohemi me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate të ngrisim standardet mjekësore, duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë specializimeve si dhe ngritjen e aftësive të kapaciteteve njerëzore për hulumtime shkencore në shkencat mjekësore, sikur për mjekët ashtu edhe për infermierët dhe të gjithë punëtorët tjerë shëndetësorë. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore ne investojmë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhurat prej këtyre shërbimeve, ne riinvestojmë sërish në kualitet.”-ka deklaruar Latifi.

Profesor Rifat Latifi është mjek dhe profesor i njohur në nivelin ndërkombëtar. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër në Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha.

Më herët, Latidfi ka qenë edhe këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçi./ Hashtag.al