Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Besa e vetme që i kam dhënë Berishës në moshën 17-vjeçare është përkushtimi për PD-në e Shqipërinë


Kreu i PD-së, Basha, ka shkruar mbrëmjen e sotme se besa e vetme që i ka dhënë Sali Berishës herën e parë që e ka takuar në moshën 17-vjeçare ka qenë përkushtimi i tij pa asnjë kusht për demokracinë e PD si dhe për Shqipërinë.

Kryedemokrari shkruan në Facebook se e njëjta situatë ka qenë edhe në vitin 2005, kur PD arriti fitoren në zgjedhjet e përgjithshme e më pas me projektet për vendin.

Basha thekson se nuk ka pasur asnjë besë me Berishën për të shkelmuar sakrificën e demokratëve a për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse cenoheshin interesat personale.

“Të vetmen besë që kam lidhur me Sali Berishën, që ditën e parë që i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit kur kam qenë vetëm 17 vjeç, ishte për angazhimin dhe përkushtimin tim pa asnjë kusht për demokracinë, për Partinë Demokratike, për demokratët, për Shqipërinë. E njëjta besë ka qenë edhe në 2005, kur u angazhova me gjithë forcat e mia për fitoren e Partisë Demokratike, e më pas për përmbushjen e projekteve që ndryshuan njëherë e përgjithmonë Shqipërinë, të cilat i rikthyen dinjitetin shqiptarëve. Kurrë nuk ka pasur marrëveshje e as besë mes meje dhe Sali Berishës, që të shkelmonim sakrificën e demokratëve, për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse cënoheshin interesat personale. Që pas 9 shtatorit gjithkush është shtangur nga etiketimet që Sali Berisha ka bërë ndaj meje. Natyrisht unë nuk kam ndërmend të shkel mbi vitet e bashkëpunimit me të, në të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Besa ime është për ta dhe për çdo demokrat, siç ka qenë ditën e parë.” – shkruan Basha.