Vendosni fjalën kyçe....

Udhëtimi i republikanit Glenn Youngkin nga financat drejt postit të Guvernatorit të Virxhinias


Një vit më parë, Glenn Youngkin ishte i njohur në botën e financave në nivele të larta, por pothuajse i panjohur në politikë.

Pas një përmbysjeje të jashtëzakonshëm në garën për guvernator të Virxhinias, Youngkin është ylli më i ri i Partisë Republikane, fushata e të cilit mund të projektohet nga të dyja anët e politikës për mësimet që mund të nxirren prej saj dhe duket se qëndrimi i tij në detyrë vështirë se mund të kufizohet në katër vjet në rezidencën me ngjyrë kremi në Richmond.

Një aktivist i natyrshëm që po bënte garën e tij të parë, Youngkin gjeti një mënyrë për të rekrutuar bazën republikane që ende ishte nën kontrollin e Donald J. Trump dhe republikanët më pak ideologjikë që refuzuan partinë në epokën e Trump. Sulmet e furishme demokrate se ai ishte një ‘ujk Trumpian’ nuk e dëmtuan aspak sepse, si në biografi ashtu edhe në mënyrën e tij të të bërit politikë, Youngkin nuk i përshtatej profilit ngacmues dhe polemizues të ish-presidentit.

Aftësia e tij për të drejtuar mesazhe të shumta të baza republikane nëpërmjet intervistave me mediat e krahut të djathtë dhe një hap më pak përçarës për të lëkundur votuesit, mund të shërbejë si një plan për partinë e tij në zgjedhjet afatmesme.

Me një pasuri personale të vlerësuar nga Forbes në 440 milionë dollarë, Youngkin kontribuoi me 20 milionë dollarë në garën e tij. Kjo shumë e madhe e paguar për republikanët e nivelit të lartë, konsulentët dhe një ‘ortek’ reklamash televizive, ndihmuan jo pak në suksesin e tij.

Fitorja e tij si një konservator në një shtet që përgjithësht është qeverisur nga demokratët, mund ta bëjë 54-vjeçarin Youngkin, një pretendent brenda partisë së tij në nivel kombëtar.

Gjatë fushatës, Youngkin mbuloi mediat me reklama që sulmonin kundërshtarin e tij demokrat, ish-guvernatorin Terry McAuliffe. Por në fillim, reklamat e prezantonin të panjohurin politik si dikë me mjete modeste, babai i të cilit humbi vendin e punës, duke e detyruar një adoleshent si Glenn asokohe të gjente punë duke larë enët. Familja u zhvendos në Virginia Beach, ku ai ndoqi një shkollë private ditore, Norfolk Academy.

Një bursë basketbolli i dha atij një udhëtim në Universitetin Rice në Hjuston. Më vonë ai ndoqi Shkollën e Biznesit në Harvard. Youngkin punoi për McKinsey & Company, gjigantin e konsulencës së korporatave, dhe në vitin 1995, ai iu bashkua Carlyle Group, një firmë e kapitalit privat që u shndërrua më pas në një gjigant. Me qendër në Uashington, firma ka lidhje të thella duke përfshirë industrinë ushtarake dhe energjitike dhe ka shërbyer si një vend për ish-zyrtarët e qeverisë për të vënë pasuri.

Teksa rriste katër fëmijë me gruan e tij, Suzanne, Youngkin ngjiti shkallët në Carlyle: nga një punonmjës i thjeshtë, duke u bërë kreu i një grupi industrial global në Uashington.

Në intervista, Youngkin shpjegoi se ishte Suzanne ajo që e kishte bërë atë një frekuentues të rregullt të kishës, duke këmbëngulur që besimi të luante rol qendror në martesën e tyre.

Sipas Bloomberg, z. Youngkin njihej si ‘djaloshi i mirë dhe bartës i kulturës’ në Carlyle, miliarderët themelues të së cilës e kishin përgatitur atë për të qenë fytyra e kompanisë. Por pasi humbi ‘luftën’ për pushtet me bashkëshefin e tij ekzekutiv, ai u largua nga firma në shtator 2020.

Për më shumë se një dekadë, z. Youngkin ka qenë një dhurues bujar për republikanët, duke përfshirë senatorin Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, ish-kreun e partisë Paul Ryan si dhe Mitt Romney, kandidati presidencial republikan në vitin 2012, i cili përfitoi 75,000 dollarë nga Youngkin.

Kur u largua nga Carlyle, ai u tha kolegëve se kishte ndërmend të eksploronte politikën.

Në primaret republikane Youngkin e bëri ‘integritetin zgjedhor’ çështjen e tij kryesore.

Ai pranoi vetëm pasi siguroi nominimin në maj, se Presidenti Biden kishte fituar. Miratimi i zotit Trump, i cili erdhi menjëherë pas kësaj, ishte ‘një nder’, tha zoti Youngkin. Edhe pse Trump i ofroi atij të bënin fushatë së bashku, Youngkin iu shmang tubimeve në të cilat zoti Trump telefonoi në mbështetje të tij, ndërsa ish-presidenti vazhdoi të përkrahte teoritë e konspiracionit zgjedhor.

Gjatë fushatës ai mbështeti çështjet tradicionale konservatore si të drejtat e armëve dhe kundërshtimin e abortit. Më tej ai po kështu mbështeti familjes në betejën e tyre kundër disa shkollave publike lidhur me çështjen e karantinës, duke e kundërshtuar atë. Ndërsa ai ka premtuar të heqë taksën mbi shitjet ushqimore dhe të shkurtojë rregulloret për të nxitur hapjen e bizneseve të reja, zotimi më i njohur i Youngkin është të ndalojë teorinë kritike të racës në shkolla që në ditën e parë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani