Vendosni fjalën kyçe....

U hiqet pagesa e paketës higjieno-sanitare, indalidët nisin grevë urie në Elbasan: S’ia dalim dot, jemi të pashpresë


Anëtarë të shoqatës së Invalidëve të Punës ne Elbasan e familjarët e tyre, kanë filluar sot një grevë urie pasi pohojnë se u është hequr paketa higjeno-sanitare prej 16 mijë lekësh.

Familjarët e tyre deklarojnë për mediat se nuk ia dalin dot me aq para sa marrin tani. Pothuajse të gjithë janë në karroca, disa nuk kanë gjymtyrët dhe disa kanë probleme të tjera fizike, shkruan Shqiptarja.

“Jemi mbledhur se na kanë hequr grupin e invaliditetit fëmijëve tanë të sëmurë. Fëmijët tanë janë paralegjik dhe tetraplegjik. Fëmija im nuk lëviz as këmbë e as dorë, po s’e ushqeve nuk ushqehet. Na i kërkuan te KEMPI Epror në Tiranë, shkuam dhe na kanë ndërruar grupin e invaliditetit. Për këtë kemi ardhur këtë. Do hyjmë në borxh, unë jam pensionist dhe gruaja pensioniste. Do hyjmë borxh derisa t’i marrim, të shkojë e drejta në vend. I kërkoj Ministrisë së Shëndetësisë t’i rikthejë sytë nga grupet e këtyre invalidëve, janë njerëz pa shpresa, shpresa e tyre e vetme është vdekja.” – tha prindi i njërit prej anëtarëve të shoqatës së invalidëve.

“Kanë bërë një marrëveshje të fshehë që këtyre personave t’i hiqet higjena sanitare, t’i marrin 160 mijë lekë të vjetra, dhe ta përfitojnë vetëm ata që janë me shtyllë kurrizore.” – tha një tjetër.

Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për punë ka penalizuar një pjesë të madhe të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë në Elbasan me heqjen e pagesës së paaftësisë.

Një pjesë të Invalidëve u është hequr pagesa për paketën higjeno-sanitare, e domosdoshme në gjendjen e tyre, ndërsa pjesës tjetër e gjithë pagesa. Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë kryefamiljarë , ky vendim nuk prek vetëm ata, por edhe familjet e tyre. Të dëshpëruar Invalidët në Elbasan kërkojnë zgjidhje, duke kërcënuar se në të kundërt do vetëflijohen.

Në bazë të VKM nr.78 persona, të cilët kanë dëmtime definitive, pa perspektivë përmirësimi të gjendjes shëndetësore, deklarohen invalidë të përjetshëm dhe nuk duhet të paraqiten pranë Komisionit Mjekësor Epror. Mirëpo ky i fundit ka vendosur të ndryshojë rregullat duke dënuar invalidët.