Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet kush është 90-vjeçari italian që drejtonte skemën e pastrimit të parave, kishte lidhje me “Costra Nostra”


Operacioni i SPAK-ut i cili në bashkëpunim me autoritetet italiane zbuloi një skemë financiare të pastrimit të parave, çoi në pranga dy shqiptarë dhe shpalli në kërkim një biznesmen të njohur në vendin tonë, Rezart Taçi.

Mediat italiane, të cilat zbulojnë detaje nga ky operacion raportojnë se skema financiare drejtohej nga biznesmeni 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo, i cili u la në ‘arrest shtëpie’.

Ansa.it shkruan se nga ky operacion, është arrestuar edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati të Palermos, kontabilist me banim në Milano. Ai dyshohet se e ka ndihmuar për të zhdukur 19 milionë nga konfiskimi, duke i zhvendosur në një llogari bankare në Tiranë.

Hetimi i Palermos koordinohet nga prokurori Francesco Lo Voi dhe ndihmësja Marzia Sabella.

Por kush është “koka” e skemës së pastrimit të parave, Francesco Zummo?

Emri i tij nuk është i panjohur për drejtësinë italiane, pasi edhe në të kaluarën ishte dyshuar për implikime në skemën e pastrimit të parave.

Zummo është një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, emri i të cilit u bë i njohur në mediat italiane në vitin 2001, ku pas një operacioni u sekuestrua pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro. Dyshohet se personat e implikuar asokohe, mes së cilëve dhe Zummo, pastronin para për mafien e njohur ‘Costra Nostra’.

Shqipëria u përmend edhe në atë hetim, pasi dyshohej se rreth 19 milionë euro ishin vendosur në një bankë në Tiranë.

Zummo është hetuar edhe nga gjyqtari Falcone në fillim të viteve 1980, i cili zbuloi se disa llogari rrjedhëse të sipërmarrësit ishin përdorur për operacione në lidhje me trafikun e drogës të quajtur “Lidhja me Pizza”. Ai u arrestua por u lirua në Apel.

Zummo njihej si mik i afërt i ish-kryebashkiakut Vito Ciancimino dhe mendohej se ai merrej me pastrimin e parave të tij kriminale, duke depozituar para në shumë banka botërore, si Zvicër, Shqipëri dhe Kanada. Zummo dyshohej se fshihte një pjesë të thesarit të ish-kryebashkiakut dhe shoqëroi dy herë fëmijët e Cianciminos në Kanada, duke i ndihmuar në blerjen e pasurive të paluajtshme./Hashtag.al