Vendosni fjalën kyçe....

Po shkarkoni njerëzit e Ballës në Elbasan? Gjiknuri: Qytetarëve nuk u interesojnë emrat, por të shohin njerëz me integritet


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të çlirimit të qytetit të Elbasanit, ku përveç urimeve ka folur edhe për lajmet që po qarkullojnë në media se po shkarkohen të besuar të Taulant Ballës në këtë qytet.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, nëse po shkarkohen në Elbasan të besuarit e Taulant Ballës për të vënë në detyrë të besuarit e tij, Gjiknuri i hodhi poshtë këto zëra.

“Unë nuk e di që njerëzit etiketohen të Taulantit apo të Damianit, kështu që nuk e besoj që edhe Taulanti vetë ia atribuon këtë gjë vetes, jam i bindur që lëvizjet që mund të ndodhin dhe unë nuk kam dijeni për të gjitha lëvizjet që ndodhin, por janë gjithmonë në funksion të punës, përmirësimit të punës dhe bazuar në legjislacionin përkatës, sipas fushave përkatëse.

Ne nuk jemi këtu për të instaluar njerëzit tanë por për të bërë më të mirën dhe për të gjetur njerëzit më të mirë dhe për të promovuar ato vlera profesionale, gjithmonë në bazë të ligjeve që ka ky vend dhe në përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve të Elbasanit.

Qytetarëve të Elbasanit nuk është se u interesojnë emra të caktuar, por duhet të shohin njerëz me integritet dhe të dinë të organizojnë dhe të ofrojnë shërbime.”- deklaroi Gjiknuri.