Vendosni fjalën kyçe....

Basha-Berishës: Mjaft harxhove kohën e energjitë e demokratëve duke ndihmuar Ramën, unë do i jap fund regjimit të tij


Kreu i PD-së Basha i ka dërguar një mesazh paraardhësit të tij, Berisha, pasi ky i fundit dorëzoi 4200 firma mbrëmjen e djeshme për të thirrur Kuvendin Kombëtar.

Në një deklaratë nga selia blu, Basha, tha se Berisha nuk ka respektuar statutin për sa i përket dorëzimit të firmave.

Po kështu Basha iu drejtua Berishës duke thënë se mjaft ka shpenzuar energjinë e kohën e demokratëve duke ndihmuar Edi Ramën.

Sipas tij, lidershipi i zgjedhur i partisë do bëjë çmos që t’i japë fund pushtetit të Edi Ramës nëpërmjet aksionit politik në parlament.

“Prandaj kam vetëm një thirrje dhe një ftesë për Sali Berishën. Nuk i kishe firmat dhe nuk i dorëzove te organet statutore siç i di rregullat e kësaj partie sepse ke qenë kryetar i kësaj partie. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve, boll ndihmove Edi Ramën.

Partia Demokratike do bëjë gjithçka nën lidershipin e zgjedhur që kundërshtarin e vetëm të Shqipërisë dhe armikun e vërtetë të përditshmërisë së shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij ta çojë një orë e më parë përpara fundit të merituar politik.

Ne jemi në atë parlament që ky fund të vijë një orë e më parë për të rikthyer demokracinë dhe legjitimitetin në shina. Siç e dini fare mirë kemi çuar iniciativa dhe do ndërmarrim çdo aksion politik edhe me ndihmën e partnerëve tanë që jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve tu kthehet vota e vjedhur dhe shpresa e vrarë.”– u shpreh Basha.