Vendosni fjalën kyçe....

Për Check-upin, KLSH-në dhe SPAK-un


Nga Klodian Tomorri

Ajo që ndodh prej vitesh me koncesionin e kontrollit bazë mjekësor dhe atij të Sterilizimit është e padëgjuar në historinë botërore. Me fjalë të thjeshta historia është kështu:

Koncesionari i Check-upit është i përjashtuar nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar-se, pra nuk paguan TVSH. Kjo pasi qeveria e ka hequr TVSH-në për shërbimet mjekësore. Por megjithëse kompania nuk paguan TVSH, shteti asaj ia paguan faturat me TVSH.

Çfarë do të thotë kjo?

Koncesionari i Check-up e ka fituar kontratën e koncesionit me një çmim 1537 lekë për çdo qytetar që kontrollon. Shteti i paguan 1537 plus 20 për qind TVSH, pra 1844 lekë për çdo qytetar që i ushtrohet kontrollit.

Ky 307 lekëshi diferencë duhet t’i kthehej shtetit në formën e TVSH-së së paguar nga kompania, por nuk i kthehet sepse kompania nuk paguan TVSH. Dhe e gjithë kjo skema është jo pak, por plot 6 milionë euro. E njëjta gjë ndodh dhe me koncesionin e sterilizimit, madje aty vlerat janë edhe më të larta.

Kur një qytetar ble një bukë tek furra, paguan 80 lekë për bukën dhe 20 lekë TVSH. Furra e bukës ia merr konsumatorëve 20 lekëshin dhe e derdh në shtet si pagesë TVSH-ja. Supozoni pak sikur furra e bukës të mos e derdhte TVSH-në në shtet, por ta mbante vet. Këtë bën Check-Upi dhe Sterilizimi, prej vitesh.

Por nuk mbaron këtu. Check Up-i vitin e kaluar bëri vetëm 100 mijë kontrolle mjekësore, por shtetit i faturoi 320 milionë lekë. Pra kontrata thotë se çmimi për kontroll është 1537 lekë, por vitin e kaluar shteti ia pagoi 3 mijë lekë, pra dy herë më shtrenjtë. Kështu ndodh çdo vit sepse nuk plotësohet numri i kontrolleve, ndërkohë që të ardhurat janë të garantuara me dysheme.

Dhe e fundit. Bilancet e kompanisë koncesionare të Check up, të cilat i janë dorëzuar tatimeve në periudhën 2016-2018, janë të manipuluara dhe përmbajnë të dhëna të pasakta. Deloitte, pra audituesi, ka konstatuar se është raportuar në mënyrë të pasaktë inventari, janë regjistruar në mënyrë të pasaktë flukset e të ardhurave, gjë që ka modifikuar fitimin e raportuar për periudhën 2016-2017 dhe tatim fitimin e paguar gjatë kësaj periudhe.

KLSH bërtet, SPAK-u fle, koncesionarët e qeverisë fitojnë para. Kjo është historia e koncesioneve që i shërbejnë qytetarëve, siç e thotë shpesh kryeministri.