Vendosni fjalën kyçe....

Ndalohen dy të rinj në Elbasan, kapet një pistoletë pa leje


Dy të rinj janë arrestuar në Elbasan gjatë një aksioni të policisë.

Ata janë ndaluar në një lokal dhe pas kontrollit, 31-vjeçarit me iniciale E.D., banues në Librazhd i është gjetur një armë zjarri pa leje, ndërsa 22-vjeçari me iniciale E.C., banues në Librazhd akuzohet nga policia për moskallëzim krimi.

Njoftimi

“Elbasan

Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, vihet në pranga poseduesi.

Arrestohet dhe 1 tjetër shtetas, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e një lokali ku po qëndronin shtetasit E. D. dhe E. C. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit  E. D., kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, me fishekë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit:

E.D., 31 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” dhe E. C., 22 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.”