Vendosni fjalën kyçe....

Krerët e drejtësisë shqiptare prej disa ditësh për vizitë pune në Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane dhe Gjykatën Europiane në Strasburg


Prej disa ditësh një delegacion nga Shqipëria po kryen një vizitë pranë Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane si edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ky aktivitet sikurse bëhet me dije nga një njoftim i Gjykatës së Lartë, është organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe marrin presë drejtues të institucioneve kryesore të sistemit të Drejtësisë.

Në kuadër të kësaj vizite, temat kryesore të bashkëbisedimit kishin në vëmendje “Pavarësinë e gjyqësorit” si edhe “Masat për uljen e numrit të çështjeve në gjykata”.

Në njoftim thuhet se për të dyja këto tema, “Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi shprehu mendimet e tij dhe qëndrimet konkrete të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të garantuar aksesin në drejtësi, pavarësisht kushteve me të cilat përballet sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri.”

Gjykata e Lartë thotë se mbetet “e angazhuar për të bërë përpjekjet maksimale për gjykimin brenda një afati sa më të shpejtë të çështjeve të prapambetura, në kuadër të të cilit ka hartuar dhe një plan veprimi me masa konkrete, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe projektin e financuar nga INL për këtë qëllim“.

Në këtë bashkëbisedim mjaft të frytshëm midis delegacioneve, morën pjesë edhe gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, z.Georges Ravarani, kryetar seksioni, gjyqtar i zgjedhur për Luksemburgun, z.Georgios Serghides, zëvendëskryetar seksioni, gjyqtar i zgjedhur për Qipron, z. Dmitry Dedov, gjyqtar i zgjedhur për Federatën Ruse, znj. María Elósegui, gjyqtare e zgjedhur për Spanjën, z. Darian Pavli, gjyqtar i zgjedhur për Shqipërinë, znj. Anja Seibert-Fohr, gjyqtare e zgjedhur për Gjermaninë, z. Peeter Roosma, gjyqtar i zgjedhur për Estoninë, z. Andreas Zünd, gjyqtar i zgjedhur për Zvicrën dhe z. Frédéric Krenc, gjyqtar i zgjedhur për Belgjikën.