Vendosni fjalën kyçe....

Demokrati Eric Adams zgjidhet Kryebashkiak i Nju Jorkut: Sot jemi një skuadër, të shërojmë ndasitë


Demokrati Eric Adams fitoi garën për kryebashkiak të qytetit të Nju Jorkut të martën me premtimet për të rritur sigurinë publike dhe për t’u dhënë zë banorëve të klasës punëtore, duke u mbështetur në përvojën e tij si kapiten policie dhe si një afro-amerikan që përjetoi brutalitetin e policisë kur ka qenë i ri.

Adams, president i bashkisë së Brooklyn që nga viti 2014, do të bëhet kryebashkiaku i dytë me ngjyrë i qytetit pasi mundi lehtësisht republikanin Curtis Sliwa, themeluesin e patrullës civile të ‘Guardian Angels’.

61-vjeçari Adams e merr detyrën në janar nga demokrati Bill de Blasio, i cili u kufizua me mandat pas tetë vjetësh në detyrë.

Adams do të përballet me detyrën e mbikëqyrjes së rimëkëmbjes së qytetit më të madh të SHBA nga pandemia e koronavirusit, si dhe të përballet me pabarazinë e pasurisë, mungesën e strehimit të përballueshëm dhe shkollat ​​publike në vështirësi.

Ai pritej të fitonte me lehtësi në qytetin me shumicë dërrmuese demokrate.

“Ne jemi kaq të ndarë tani dhe na mungon bukuria e shumëllojshmërisë sonë.” – u tha Adams mbështetësve të martën mbrëma.

“Sot ne veshim fanelën e skuadrës së Nju Jorkut.” – shtoi ai.

Fitorja e Adams mund t’u japë demokratëve të Presidentit Joe Biden disa shenja se ku qëndrojnë votuesit ndërsa partia përpiqet të mbajë një aleancë të brishtë midis progresistëve dhe centristëve në Uashington.