Vendosni fjalën kyçe....

“Ajo që bëmë ishte e patakt” – Biden i kërkon ndjesë Macron-it për marrëveshjen e nëndetëseve me Australinë


Duke u takuar me presidentin francez Emmanuel Macron, homologu i tij amerikan Joe Biden kërkoi falje për njoftimin e një marrëveshjeje për nëndetëse me Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, duke e quajtur atë ‘të patakt’ dhe Francën një ‘partner jashtëzakonisht të vlerësuar’ të Uashingtonit.

“Ajo që bëmë ishte e patakt, nuk u bë me shumë hir.” – tha Biden të premten.

“Dua ta bëj të qartë, Franca është një partner jashtëzakonisht, jashtëzakonisht i vlerësuar.” – shtoi ai. Franca është një fuqi më vete dhe ‘ne kemi të njëjtin sistem vlerash’.

“Për mua, është e ardhmja që duhet të shikojmë.” –u përgjigj presidenti francez.

Vërejtjet erdhën pasi Macron priti Biden në ambasadën franceze në Vatikan. Të dy presidentët janë në Romë për samitin e G20.

Biden i tha Macronit se kishte përshtypjen se Franca ishte informuar paraprakisht, me sa duket nga Australia, se kontrata e saj me Canberrën për një duzinë nëndetëse me fuqi konvencionale ishte anuluar shumë kohë përpara se ai të bënte njoftimin e nënprogramit atomik ‘AUKUS’ në shtator. Parisi e priti njoftimin me tronditje, pasi askush nuk u mundua të informonte qeverinë franceze as për anulimin e kontratës së nëndetëseve, as për planin e tre vendeve anglishtfolëse për t’i dhënë Australisë një flotë nënujore me energji bërthamore.

Ministri i Jashtëm francez e quajti njoftimin një ‘thikë pas shpine’. Më pas Franca tërhoqi ambasadorin francez në Uashington. Tensionet filluan të zvogëlohen vetëm një javë më vonë, pasi Biden i telefonoi Macronit për t’i kërkuar falje e pranoi se SHBA duhet të ishte këshilluar më parë me Francën.