Vendosni fjalën kyçe....

Hakerët nxjerrin ‘informacione të ushtarëve izraelitë e fotot e ministrit të Mbrojtjes, thonë se kanë dokumente të klasifikuara


Një grup hakerash në hije që e quan veten ‘Stafi i Moisiut’ ka publikuar një sasi fotografish dhe të dhënash që pretendon se i ka vjedhur në një sulm kibernetik ndaj ushtrisë izraelite, duke përfshirë një seri fotografish të ministrit të Mbrojtjes, Benny Gantz.

Në postimet në faqen e tij të internetit dhe kanalin Telegram në fillim të kësaj jave, grupi i hakerave publikoi një numër fotosh të Gantz, duke pretenduar se kishte qasje në ‘dokumentet konfidenciale’ të Ministrisë së Mbrojtjes të vendit dhe vetë ministrit.

“Ne ju kemi vëzhguar për shumë vite, në çdo moment dhe në çdo hap. Të gjitha vendimet dhe deklaratat tuaja kanë qenë nën vëzhgimin tonë. Përfundimisht, ne do t’ju godasim aty ku ju nuk e imagjinoni.” – tha grupi, duke u zotuar të publikojë më shumë informacione konfidenciale për të informuar ‘botën për krimet e autoriteteve izraelite’.

Origjina e fotove të shpërndara nga ‘Moses Staff’ mbetet e panjohur. Asnjë nga pamjet e publikuara nuk duket e ndjeshme dhe shumica përshkruajnë takimin e Gantz me shokët e tij ushtarë dhe kryerjen e detyrave të tjera të zakonshme.

Një foto tjetër tregon një kopje të një letre personale që supozohet se Gantz i dërgoi një kolegu në forcat e armatosura jordaneze në vitin 2010, në të cilën Gantz e falënderon atë për ‘mbështetjen dhe miqësinë’.

Grupi gjithashtu raportohet se zbuloi skedarë që përmbajnë informacione personale për ushtarët e IDF-së dhe personelin tjetër të Ministrisë së Mbrojtjes, duke përfshirë emrat, numrat e telefonit, adresat e shtëpive dhe numrat e identitetit.