Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi ia mbledh Ballukut: E turpshme për një ministre të thotë se nuk sheh protestën e qindra banorëve (DEBATI NË KUVEND)


Janë përplasur sot në Kuvend Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku si dhe deputetja demokrate Albana Vokshi.

E gjitha nisi pasi zonja Vokshi shprehu shqetësimet e saj lidhur me shpronësimet e banorëve në kuadër të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.

Ajo tha se rreth 700 familje të cilat preken kanë mbetur në terr informacioni, pasi mundohen të kontaktojnë me institucionet por nuk marrin përgjigje, ndërsa përmendi edhe protestat e tyre të vazhdueshme. Sipas Vokshit ka patur një ndarje politike të banorëve lidhur me legalizimet dhe shpronësimet e tyre, në ata të PS-së dhe të PD-së.

Ministrja Balluku mori fjalën dhe iu kundërpërgjigj Vokshit, duke thënë se ajo as nuk i kishte parë këto protesta për të cilat fliste Vokshi. Balluku tha se me përfundimin e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, i gjithë kryeqyteti do të mund të përshkruhet për 20 minuta. Dhe se me hapjen e segmentit të ri te Materniteti i ri, rruga nga “Pallati me Shigjeta” deri te “Brryli” përshkohet për 12 minuta. Ajo theksoi se shpronësimet do të kryhen sipas ligjit.

Mirëpo Vokshi mori përsëri fjalën dhe e akuzoi Ballukun se është e turpshme për një ministre të thotë se nuk sheh protestat e qindra qytetarëve.

DEBATI:

Albana Vokshi: Ne jemi të fundit për cilësinë e arsimit, të shëndetësisë por jemi në vendin e parë për pandeminë e korrupsionit.

Në emër të këtyre kontratave korruptive, që i paguajnë me borxhin që marrin në emrin e shqitparëve prishin shtëpitë e shqiptarëve. Shkatërrojnë mundin dhe djersën e shqiptarëve. Edi Rama i trajton qytetarët si armiq kur ata i prishin planin për të vjedhur përmes projekteve pa transparencë.

Këto ditë po shohim se si ai po u vërsulet banorëve për të prishur banesat në zonën e 5 Majit në Tiranë. Sepse i duhet të lirojë tokë për ta dhënë me PPP në një zonë tjetër në Kombinat apo diku në Kinostudio.

Rrënqethëse sot dëshmia e një babai me 3 fëmijë, pa punë, tani edhe pa shtëpi, 35 vite mund dhe djersë të ndershme që i janë rrënuar për 5 minuta.

Këto ditë ndërsa merr borxh për të bërë 21 milionë euro 1 kilometër rrugë, një tjetër aferë e papërfunduar po merr trajtë tek pjesa e Unazës së Re.

Këtë faturë Edi Rama kërkon që ta paguajnë 700 familje me prishje të banesave të tyre. Qindra qytetarë të njësive 9 dhe 11 në Tiranë, janë në protestë prej mëse 1 muaj të kësaj afere që shkatërron jetët e tyre. Ata preken nga prjekti i segmentit rrugor të Unazës Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, një segment pra që do u kushtojë 62 milionë euro për 3 kilometra rrugë. Thënë ndryshe 21 milionë euro për kilometër.

Si deputete përfaqësuese e njësive 9 dhe 11, kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarët që janë të stresuar dhe në ankth se mundi dhe puna e një jete do u shkatërrohet. Asnjë nga banorët që kam biseduar këto ditë, nuk është kundër zhvillimit të një projekti publik por janë kundër mënyrës së paligjshme në mungesë të plotë transparence, e të panjerëzishme trajtimi.

Asnjë përfaqësues i ministrisë, i Autoritetit të Bashkisë nuk pranon të bisedojë me asnjë nga banorët, pavarësisht thirrjeve të përditshme të tyre. Vetëm policë apo punonjës që shkojnë si banda për të kryqëzuar banorët në shtëpitë e tyre.

Ajo që kërkojnë ata është transparenca. Banorëve as nuk u thuhet, as nuk u jetet e as nuk ju tregohet asgjë. Heshtja totale. Mungesa totale e informimit pranohet edhe në shkresën e ARRSH-së që unë kam sot këtu.

Zonja ministre do keni rastin të flisni, do merrni fjalën…

Në një ndërtesë gjysma është e legalizuar se është militant i PS, gjysma tjetër jo pasi mendohet se është anëtar i PD. Leje legalizimi elektorale selektive bazuar vetëm në bindjet apo përkatësitë politike.

Apo për ata që kanë dhënë para, shuma marramendëse në dorë.

Dhjetëra familje janë përpjekur që të komunikojnë me përfaqësues të institucioneve, agjencinë shtetërore të Kadastrës. E pamundur, askush nuk përgjigjet. Familjarët dyshojnë edhe për zhdukje të dokumentacionit të tyre. Unë kërkoj informim urgjent të banorëve për statusin e regjistrimit të banesave të tyre.

Në datën 29 kam kërkuar informacion nga ministrja Balluku, nga Erion Veliaj. Përveç ARRSH-së jashtë afateve, as ministrja e as kryetari i bashkisë nuk kanë respektuar një tjetër shkelje kushtetuese. Secila kategori, të bëhen pjesë pa dallime diskriminimi, vlera e shpërblimeve të jetë sipas tregut dhe banesat e tyre të mos shemben pa u zgjedhur problemi i strehimit.

Belinda Balluku: Zonja Vokshi faleminderit që më dhatë mundësinë të flas. Para së gjithash projekti u bëre nga ju (PD) në 2009, dhe ju nuk njiheni për projekte të mira dhe të gjitha projektet tuaja i kemi rishikuar.

Besoj biem dakord me këtë fakt se pas 12 vitesh, për shkak të urbanizimit të Tiranës nuk mund të zbatojmë projektin që keni bërë ju.

Ka një projekt të rishikuar që as nuk fut brenda toka as nxjerrë jashtë toka, por mundohet  të jetë sa më efecient. Pra të kalojë në sipërfaqe që nuk kanë problleme gjeologjike.

Kur dilni të flisni, unë e kuptoj që ju bëni politikë, po të thuash që janë 3 km kur janë 7.7, sikur nuk shkon. Tani ju bëni si të doni, por janë 7.7 kilometra. E nderuar zonjë… (ndërhyn Vokshi) aaa the një segment… Epo duhet t’i referohesh të tërës se përmende 700 shtëpitë që duhet të shpronësohen që nuk ekzistojnë. Janë 100 shtëpi të legalizuara që preken nga projekti dhe 540 shtëpi të palegalizuara që preken nga projekti.

 Nuk e di ku janë këta banorët në protestë se nuk i kam parë. Me banorët jam ulur vetë, nuk i keni informacionet e mira.

Janë njoftuar, janë takuar dhe nuk do bëhet shpronësimi siç thoni ju por në bazë të ligjit. Ne do vazhdojmë të ndërtojmë. Sot hapëm lotin e dytë dhe të tretë. Për të shkuar sot nga pallati me shigjeta te Brryli duhen ekzaktësisht 12 minuta. Me hapjen e kësaj rruge që mund të shkoni dhe ta shikoni edhe ju nuk do kalojmë më nga rruga e Elbasanit dhe të kalojmë në pritje, sepse çdo qytet i madh ka trafik. Ne do vazhdojmë të ndërtojmë rrugë ju përlqen apo jo ju. Sipas standardeve në fuqi. Fatkeqësisht edhe unë deputete jam e kam kaluar kohë në terren, nuk e di si funksionojnë legalizimet sepse nuk jam marrë ndonjëherë. Por realisht ata që kanë legalizime janë kryesisht votuesit tuaj. Se jeni kujdesur që t’ia ndani e tia çoni PD-së. Mos t’i futemi politikës se kush i ka e kush jo, pasi të gjithë trajtohen njësoj. Kush e ka shtëpinë e legalizuar do të shpronësohet në bazë të ligjit. Kush nuk e ka, ndryshe nga ju ne nuk i lëmë në rrugë. Por do vazhdojmë të ndërtojmë rrugë. Kur të mbarojnë segmentet… kur Shqiponja të Bashkohet me segmentin që dorëzuam sot te Brryli, e gjithë Tirana do përshkohet në 20 minuta. Kjo është për t’u krenuar, e jo duke thënë të pavërteta duke nisur nga protestat që nuk i kemi parë se ku janë, tek 700 familjet që paskan dashur të na kontaktojnë por dy emra përmendët, ndërkohë që unë kam takuar më shumë se 200 familje dhe punonjësit do dalin, kë prisni ju të dalin ti takojnë?! Ne çojmë atje inxhinierët e ARRSH-së, të cilët shpjegojnë se ku është gjurma dhe ku kalon, e ku duhet të shpronësohen. Nëse ju nuk ju pëlqen, ky nuk është problemi jonë.

 Albana Vokshi: Të thoni që nuk shihni qindra banorë që çdo ditë protestojnë është turp për një ministre, kanë protestuar tek Sheshi Shqiponja. Kanë protestuar vetëm para 3 ditësh… mos ndërhyni.

Kanë protestuar para Kryeministrisë, para Kuvendit. Është turp për një ministre të thotë se nuk sheh qindra banorë që duan të kontaktojnë me ju dhe nuk ju kontaktojnë dot.

E dyta, të flisni ju… Oooo zonja ministre… heshtni

Zv. kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj: Zonja Vokshi, ju po flisni për replikën tuaj. Ju lutem mos u ktheni nga zonja ministre. Koha juaj po vazhdon, mos u ktheni andej.

Albana Vokshi: Tërhiqni vëmendjen ministres të mos ndërhyjë. Është e paedukatë që ndërhyni. Merrni fjalën dhe sqaroni. Kanë protestuar para Kryeministrisë, kanë protestuar para Kuvendit.

Është e turpshme një ministre të thotë nuk shoh një protestë 1 mujore me qindra banorë, shkojini gjejini se po protestojnë. Të flisni për trafikun në Tiranë është akoma më turp. E keni bërë Tiranën ferr për banorët. Sapo më sollën një listë me qindra banorë. O gënjeni ju, edhe ato familje janë. O gënjen ARRSH. ARRSH thotë nuk është ndryshuar gjurma, ju thoni është ndryshuar.

E fundit që dua të them, po ne jemi ndryshe si PD. Ne kemi shpronësuar edhe pa certifikata legalizimi se ne nuk i hedhim në rrugë si ju. Ja kush është ndryshimi midis nesh dhe midis jush.