Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku dorëzon në Kuvend nismën për uljen e TVSH-së për produktet e shportës: Do ndihmojë shtresat në nevojë


Partia Demokratike ka dorëzuar sot në Kryesinë e Kuvendit një nismë për uljen e TVSH-së për produktet e shportës.

Në një komunikim për mediat nga jashtë Kryesisë, nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku ka shpjeguar pse ulja e TVSH-së nga 20% në 6% i shërben qytetarëve sipas saj.

“Partia Demokratike ka depozituar një iniciativë ligjore për propozimin e uljes së TVSH-së për produktet ushqimore të shportës nga 20% në 6%. Kjo është një nismë politike e cila vjen në ndihmë të qytetarëve. Nuk është populiste. Dëgjoj përditë suflerët e qeverisë që thonë se është një nismë populiste, e cila nuk do të jetë në dobi të qytetarëve.

Çfarë do të bëjë ulja e TVSH-së për qytetarët? Do të bëjë atë që ka bërë në të gjitha vendet e tjera të BE-së, do të bëjë atë që nuk po e bën dot qeveria. Do të ndihmojë shtresat në nevojë që të rrisë dhe të nxisë konsumin e tyre. Sot shumë vende të BE-së kanë ulur TVSH-në si një nxitje dhe një stimulim për ekonominë.

Sot shumë vende kanë ulur edhe TVSH-në për energjinë, siç rezulton në një ulje të çmimit të energjisë. Propozimi që ne kemi është shumë i thjeshtë dhe është shumë konkret. Të ndihmojmë atë pjesë të popullsisë që sot ka reduktuar dhe ka ulur konsumin. Të ndihmojmë shtresat në nevojë, të ndihmojmë ata që e kanë jetesën të papërballueshme. Efekti financiar i saj është 17 miliard lek, që është asgjë në krahasim me favoret që ka pasur buxheti i shtetit vitet e fundit.

Është hequr renta minerare, është hequr VTSH-ja e jahteve. Ka pasur nxitje dhe iniciativa ligjore përsa i përket TVSH-së të cilat nuk kanë ndihmuar qytetarët, kanë shkuar në dobi të një grushti shumë të vogël njerëzish që nuk kanë nxitur ekonominë. Ne po kërkojmë që të paktën një herë në 8 vite, kjo qeveri të mbështesë një masë e cila është për qytetarët.”- tha Tabaku.