Vendosni fjalën kyçe....

A është Edi Rama një fans i thekur i serialit “The Simpsons”?


Dy javë më parë kryeministri Edi Rama bëri deklaratën se Shqipëria do të lëshonte dy satelitë “Albania 1” dhe “Albania 2” në orbitë.

Dhe këtë javë përmes disa videove konfirmoi se e kishte seriozisht këtë projekt, për të realizuar kështu edhe një tjetër nga parashikimet e serialit të famshëm të animuar amerikan “The Simpsons”. Një serial që Rama përgjatë viteve përmes detajeve të vogla, ka treguar se është një fans i zjarrtë.

Parashikimi i “The Simpsons” për satelitin shqiptar

Seriali që përveç batutave komike, njihet për parashikimet për ngjarje të mëdha botërore, ka parashikuar edhe satelitin shqiptar në hapësirë.

Ky parashikim bëhet në episodin “The Exchange Student”, kur Bart Simpson shkëmbehet me një student nga Shqipëria. Ndërsa Adil Hoxha qëndroi me familjen Simpson dhe fshehtas punonte si një spiun komunist, ka një moment në këtë episod kur ai komunikon me Shqipërinë përmes një sateliti të stampuar me shqiponjën dykrenare (Ndiqeni në minutën 3:12).

Parashikimi për avionin e “Air Albania”

Parashikimi për satelitët, nuk është parashikimi i vetëm i serialit amerikan për Shqipërinë.

Duhet se ai ka parashikuar edhe që Shqipëria do të kishte një avion të sajin, siç është përshembull avioni “Lasgushi” i linjës ajrore shqiptare “Air Albania”.

Kjo tregohet përsëri në episodin me studentin Adil Hoxha, në momentin kur ai kthehet nga kishte ardhur, pasi zbulohet roli i tij. Në minutën 3.08 të videos së mëposhtme, shfaqet një avion me shqiponjën dykrenare.

Detajet në veshje

Rama përgjatë viteve e ka treguar shpeshherë veten se është një fans i “The Simpsons” edhe në detajet në veshje. Nëpër dalje publike ai mbante veshur kravata të mbushura me imazhe të personazhit Homer Simpson. E kravata më e komentuar e tij është ajo me Homer Simpsonin, në një pozë duke vrapuar lakuriq të cilën e ka mbajtur edhe në Kuvend, por edhe në takime në qytete të ndryshme në Shqipëri.

Në fakt edhe miq të tij të hershëm kanë dëshmuar se kryeministri Rama është një ndër fansat më të vjetër të serialit, madje ndonjëherë është treguar edhe “imponues” në darkat miqërore ku ai i ftonte të pranishmit të ndiqnin sëbashku episode të serialit të animuar./Hashtag.al