Vendosni fjalën kyçe....

Kapet trafikanti më i kërkuar i drogës në Kolumbi, SHBA ofronte 5 milionë dollarë për kokën e tij


Kapet trafikanti më i kërkuar i drogës në Kolumbi dhe kreu i bandës më të madhe kriminale në vend.

BBC shkruan se Dairo Antonio Usuga, i njohur më mirë si Otoniel, u kap të shtunën pas një operacioni të përbashkët nga ushtria, forcat ajrore dhe policia.

Qeveria kishte ofruar një shpërblim prej 800 mijë dollarësh për informacion në lidhje me vendndodhjen e tij, ndërsa SHBA-ja kishte vendosur një shpërblim prej 5 milion dollarësh për kokën e tij.

Presidenti Iván Duque përshëndeti kapjen e Otoniel në një video mesazh televiziv.

“Kjo është goditja më e madhe ndaj trafikut të drogës në vendin tonë për këtë shekull.”- tha ai. “Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobarit në vitet 1990.”

Otoniel u shoqërua nga forcat e sigurisë pas kapjes së tij dhe disa prej tyre pozuan edhe për foto selfie. Edhe vetë Otoniel shfaqet i buzëqeshur në foto

Si u kap Dairo Antonio Usuga?

Otoniel u kap në vendin ku qëndronte i fshehur në provincën Antioquia në veriperëndim të Kolumbisë, afër kufirit me Panamanë.

Operacioni përfshinte 500 ushtarë të mbështetur nga 22 helikopterë. Një polic u vra nga ky aksion.

Otoniel kishte përdorur një rrjet shtëpish të sigurta rurale për të lëvizur dhe për t’iu shmangur autoriteteve dhe nuk përdorte telefon, përkundrazi mbështetej te korrierët për komunikim.

Në të kaluarën, policia ka gjetur dyshekë të veçantë ortopedikë për Otonielin në këto shtëpi të rralla, pasi ai vuante nga dhimbjet e shpinës nga një hernie diskale.

Shefi i policisë Jorge Vargas ka thënë se bosi i drogës kishte frikë nga kapja, “duke mos iu afruar kurrë zonave të banuara”.

Por gazeta El Tiempo tha se autoritetet arritën të përcaktonin vendndodhjen ku ai u kap përfundimisht dy javë më parë.

Shefi Vargas tha se lëvizjet e tij u gjurmuan nga më shumë se 50 ekspertë të inteligjencës sinjalizuese duke përdorur imazhe satelitore. Agjencitë e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe u përfshinë në kërkim.

Duque, i cituar nga agjencia e lajmeve AFP, e përshkroi operacionin si “depërtimi më i madh i xhunglës i parë ndonjëherë në historinë ushtarake të vendit tonë”.

Forcat e armatosura të Kolumbisë më vonë publikuan një fotografi që tregonte ushtarët e saj që ruanin Otonielin, i cili ishte në pranga dhe mbante veshur çizme gome.

Janë organizuar disa operacione të mëdha që kanë përfshirë mijëra oficerë për të kapur 50-vjeçarin në vitet e fundit, por deri më tani asnjë nuk ka qenë i suksesshëm.