Vendosni fjalën kyçe....

Dorëzohet në KQZ ankesa për deputeten Elda Hoti: Ka shkelur ligjin e dekriminalizimit, fshehu ndryshimin e emrit të të atit


Mandati i deputetes së Partisë Demokratike për qarkun Lezhë, Elda Hoti është vënë në dyshimpas një ankese që ka mbërritur për të në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Denoncuesi Llesh Nikolli ka dorëzuar një fotokopje të regjistrit ku tregon se babai i deputetes e ka ndryshuar emrin në vitin 2002 nga David Hoti në Artan Hoti dhe Elda Hoti e ka fshehur këtë fakt në vetëdeklarimin e saj.

Ankesa i është dërguar kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi ndërsa për dijeni i është dorëzuar edhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, drejtuesit të SPAK-ut si edhe ambasadoreve të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë.

“Kjo deputete në vetëdeklarimin e saj ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David Hoti, në Artan Hoti. Ky ndryshim është bërë më datë 30 prill 2002 dhe kandidatja për deputete znj. Elda Hoti nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Duke fshehur këtë të dhënë te gjeneralitetit të saj, znj. deputete nuk mund të përfaqësojë komunitetin në parlamentin shqiptar.

Pasi ne si komunitet duam njerëz dinjitozë, me figurë të pastër që të ulen në foltoren e parlamentit dhe të përfaqësojnë me ndershmëri dhe devotshmëri interesat tona. Kjo deputete përse e ka fshehur këtë ndryshim, e ka harruar, apo babai i saj ka pasur një të shkuar kriminale ku është dënuar për disa vepra të rënda penale, si ajo e trafikimit të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore.”– thuhet në ankimimin e dorëzuar në KQZ.

Denoncuesi shprehet se deputetja ka shkelur ligjin Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, ligjin për dekriminalizimin” dhe ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga nen 190 i Kodit Penal.

Kujtojmë se deputetja Elda Hoti e mori mandatin nën siglën e PD-së për këtë legjislaturë, pas dorëheqjes se Mark Markut.