Vendosni fjalën kyçe....

PS-PD nuk bien dakord për mbledhjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet, Toni Gogu: Sot bojkotoi opozita, por ne do jemi sërish nesër këtu


Ka patur sot përsëri përplasje mes opozitës dhe maxhorancës lidhur me zhvillimin e mbledhjes së radhës të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

Këtë radhë në mbledhje kanë munguar përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

Pas kësaj, nënkryetari socialist i këtij Komisionit, Toni Gogu, doli në një deklaratë për mediet ku i bëri thirrje kryetarit Enkelejd Alibeaj që të mblidhen sa më parë për të nisur kështu hetimet sa më shpejt.

Gogu shprehet se ka një nxitim nga ana e anëtarëve të opozitës të këtij komisioni, për t’i quajtur ata fajtorë ende pa nisur hetimi.

“Ka një nxitim të paarsyshëm nga kolegë të opozitës për të na shpallur fajtorë pa nisur hetimi, ndërkohë që ka një seri faktesh për vullnetin tonë të paepur që të mund të fillojmë hetimin pa humbur kohë.

Erdhëm më 14 tetor me 74 vota dhe i hapëm rrugën pakicës për të hetuar sëbashku. Dhe çfarë morëm mbrapsht? Morëm mbrapsht mallkime,morëm mbapsht fajësime pa filluar hetimi. E bëmë këtë gjë sepse donim që të trajtoheshim siç donim ne të trajtoheshim kur e kërkonim këtë të drejtë dhe na është mohuar.

Erdhëm përsëri më 18 tetor, donim vetëm një gjë miratimin e rendit të ditës, ku pika e 7 e saj ishte edhe mbledhja e radhës. Në kundërshtim të hapur në parimin e të barabartit mes të barabartëve, kryetari na e mohoi këtë të drejtë duke na shpërfillur, madje një nga anëtarët na etiketoi ‘gangster’.

Dje propozuam që të takoheshim sot, pasi u njohëm me dëshirën e tyre për tu takuar. Ajo çfarë morëm është se vijmë këtu për të vazhduar mbledhjen dhe nuk janë të pranishëm. Ne do të vazhdojmë të vijmë edhe nesër, ne do të vazhdojmë sepse duam të zbatojmë ligjin për të hetuar të gjitha shqetësimet. Vetëm sëbashku ne mund të mbrojmeë integritetin e zgjedhjeve.

Ne shprehim qartë vullnetin tonë sepse qytetarëve kemi detyrimin t’i japim përgjigje për të gjitha shqetësimet që shprehen edhe në raportin e ODIHR.

Ftoj zotin Alibeaj të ulemi dhe të zbatojmë ligjin dhe rregulloren e Kuvendit për të filluar sa më parë hetimin. Ne do të jemi edhe nesër sepse jemi vullnet mirë. Natyrisht që jemi të zhgënjyer nga akuzat, nga të gjitha gjërat e vockla që na kanë ardhur nëpër këmbë por jo të dekurajuar sepse siç e thashë, nderin e zgjedhjeve dhe zgjedhjet tona në mund ti mbrojmë vetëm sëbashku.”- tha Gogu.

Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, kryetari demokrat i këtij Komisioni, Enkelejd Alibeaj, akuzoi maxhorancën se e ka bojkotuar mbledhjen pasi duan të fshehin të vërtetën e “masakrës zgjedhore” të 25 Prillit.