Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Hetimor në Kongres do votojë për ngritje akuzash penale për Bannon


Një komision i Kongresit që po heton sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar ka caktuar një votim për të rekomanduar akuza penale ndaj ish-ndihmësit të Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, pasi ai shpërfilli fletëthirrjen e këtij komisioni.

Ligjëvënësi demokrat Bennie Thompson tha se komisioni do të votojë të martën e ardhshme për të rekomanduar këto akuza. Në vazhdim propozimi do t’i kalohet Dhomës së Përfaqësuesve për ta votuar.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton në favor të rekomandimit për ngritjen e akuzave ndaj zotit Bannon, i takon Departamentit të Drejtësisë të vendosë nëse do të hapë çështje hetimore. Komisioni ka kërkuar dokumente, si dhe dëshminë e zotit Bannon, i cili ishte në kontakt me Presidentin Donald Trump përpara kryerjes së sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit, shkruan VOA.

“Komisioni nuk do të tolerojë shpërfilljen e fletëthirrjeve tona, kështu që duhet të proçedojmë me rekomandimin për të ngritur akuza penale ndaj zotit Bannon”, tha Ligjvënësi Thomson nëpërmjet një deklarate.

Komisioni kishte planifikuar të dëgjonte të enjten një dëshmi të zotit Bannon, por avokati i tij tha se bazuar në udhëzimin e ish-Presidentit Trump, ai nuk do të paraqitej. Një dëshmitar i dytë që ishte thirrur për ditën e enjte, ish-zyrtari i Departamentit të Mbrojtjes Kashyap Patel, gjithashtu nuk do të paraqitej, thanë në anonimitet dy persona me njohuri të një procesi konfidencial negociatash që po zhvillohen. Por, zoti Patel vazhdon të jetë në komunikim me komisionin, thanë ata.

Dy ndihmësa të tjerë që punuan për ish-Presidentin Trump, ish-shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows dhe ish-drejtori për mediat sociale i zotit Trump, Dan Scavino, janë planifikuar të dëshmojnë të premten. Nuk është e qartë nëse ata do të paraqiten përpara komisionit. Ashtu si zoti Patel, edhe zoti Meadows është në komunikim me komisionin.

Dëshmia e zotit Bannon është vetëm një aspekt i hetimit në rritje nga Kongresi, me 19 fletëthirrje të lëshuara deri më tani dhe mijëra faqe dokumentash të marra. Por, mospërfillja e tij përfaqëson një moment kyç për komisionin, anëtarët e të cilit janë zotuar t’ua rikthejnë peshën ligjore fletëthirrjeve të Kongresit, pasi ato u shpërfillën rregullisht gjatë qëndrimit në detyrë të ish-Presidentit Trump.

“Zoti Bannon ka refuzuar të bashkëpunojë me komisionin hetimor dhe po fshihet pas deklaratave boshe, të vakëta dhe të pamjaftueshme të ish-presidentit në lidhje me imunitete të aluduara që ai është munduar t’i shfrytëzojë”, tha Ligjvënësi Thompson në deklaratën e tij. “Ne e refuzojmë plotësisht këtë pozicion”.