Vendosni fjalën kyçe....

“Policia e Kosovës i la në baltë gazetarët në Veri” – Sulmohen me granata nga protestuesit serbë


Gazetarët dhe kameramanët që po raportojnë për ngjarjet që po ndodhin sot në Veri të Mitrovicës, janë sulmuar nga serbët atje.

E ata shprehen se Policia nuk u ka ardhur në ndihmë.

Juristja Flutura Kusari, thotë se Policia e Kosovës i ka lënë në baltë gazetarët në veri: “Policia i ka lënë gazetarët n’lloç, shteti i ka braktisë pikërisht në këto momente kur kanë nevojë për mbrojtje. TURP”.

Gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri, gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje, janë sulmuar nga protestuesit serbë.

Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, thotë se në drejtim të tyre janë hedhur tri bomba dore.

Në fakt, përdorimi i mjeteve të tilla është konfirmuar edhe nga policia e cila raporton: “Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.”

Aksioni rezultoi me arrestimin e tetë personave. Bëhet fjalë për gjashtë shqiptar të arrestuarë, një serb dhe një boshnjak.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar me shqetësim pas këtyre tensioneve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

“AGK-ja shpreh shqetësim për ambientin e rëndë dhe të pasigurt të punës për gazetarët gjatë ditës së sotme në komunat veriore të Kosovës. Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë.

Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal ‘Kossev’, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni.”- shprehet AGK.

Në njoftimin e bërë publik, AGK ka ftuar policinë “të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”.