Vendosni fjalën kyçe....

6 të lënduar gjatë aksionit të policisë në Veri, Albin Kurti: Mos bini pre e mediave në Serbi, aksioni kundër kontrabandës


Policia e Kosovës ka nisur një operacion në disa lokacione kundër kontrabandës me mallra. Mirëpo operacioni që po zhvillohet në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut u shoqërua me tensione.

Në zonat me shumicë serbe, pati rezistencë nga banorët të cilët u përplasën me forcat e Policisë dhe mbetën 6 persona të lënduar.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar përmes një deklarate, ku shprehet se aksioni është zhvilluar në kuadër të luftës së kontrabandës, ndërsa sqaron se hetimet janë kryer me urdhër të lëshuar nga prokuroritë.

Ai i bën thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.

DEKLARATA E KURTIT

Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.